TIRANE, 1 nëntor 2013 – Kryeministri Rama, me anë të një postimi në Facebook ka përshëndetur lajmin për realizimin e të ardhurave me 105 % për muajin tetor nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, i bërë publik pak minuta më parë nga kreu i këtij institucioni, Elisa Spiropali.

PERGEZIME ELISA!

"Deklaratë për Shtyp e Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, për realizimin e planit të të ardhurave për muajin tetor 105 %, duke arketuar 2.8 mld lekë më shumë se muaji shtator i këtij viti.

Jam këtu për t’ju dhënë një lajm të mirë, pas vetëm 31 ditësh në krye të doganave. Kemi trashëguar një situatë shumë të rënduar nga korrupsioni dhe demotivimi i administratës doganore. Por kemi gjetur edhe njerëz profesionistë e të gatshëm për t’i shërbyer me përkushtim ligjit, shtetit dhe sipërmarrësve. Ndërkohë kemi bërë edhe disa ndryshime të domosdoshme në krye të një sërë doganash, ku shifrat e të ardhurave kishin rënë në tokë bashkë me trarët e doganës. Në 31 ditë, jo vetëm kemi tejkaluar planin, por shumë e rëndësishme të theksohet, kemi kaluar ndjeshëm shifrën e muajit tetor, krahasuar me realizimin e një viti më parë.

Pra, Administrata Doganore realizoi planin e të ardhurave për muajin tetor 105% duke arkëtuar 13.244.199. Këtë muaj janë arkëtuar 2.8 miliardë lekë ose (rreth 28 milionë USD) më shumë se muaji shtator i këtij viti. Të mos harrojmë se situata e administratës doganore ka qenë e rënduar shumë edhe si pasojë e lëshimit të frerëre të shtetit pas qershorit 2013, me rënie të vazhdueshme të të ardhurave në dogana.

E megjithatë lajmi i mirë është se nga janari realizimi i muajit tetor 2013 është gjithashtu 875 milion lekë ( ose rreth 8.7 mln USD) më i lartë se tetori 2012. Ky 2.8 miliardë lekë i arkëtuar më tepër këtë muaj, i cili realisht i ka munguar buxhetit të shtetit muajin e kaluar apo një vit më parë, është padyshim rezultati i parë i frymës së re në qeverisjen e vendit dhe i fillimit të rimëkëmbjes së sistemit doganor, por mbi të gjitha i fillimit të prerjeve të lidhjeve të paligjshme, korruptive dhe nepotike që kanë brejtur sistemin doganor.

Siguroj se ky lajm i mirë është vetëm i pari dhe lajme të mira do kemi edhe në fund të nëntorit e të dhjetorit po ashtu, me rritje të mëtejshme në dy muajt e ardhshëm. Ne do bëjmë përpjekjet maksimale për mbushjen dhe një zvogëlim të konsiderueshëm të boshllëkut që është krijuar në buxhetin e shtetit në 9-mujorin e parë të këtij viti. Rritja e besimit në sistem dhe tek sistemi, shoqëruar me fillimin e rimëkëmbjes së ekonomisë do të sjellin më shumë të ardhura padyshim në arkën e shtetit vitin në vijim".