SHBA, 1 nëntor 2013 – Task Force e San Diego-s në Amerikë, ka zbuluar një tunel i cili lidhte këtë qytet me Tijuana-n në Meksikë.
Ky tunel droge është kaq i sofistikuar saqë zyrtarët e kanë quajtur ‘super tuneli’. Ai kishte një gjatësi prej rreth 6 fushash futbolli si dhe ventilim, ndriçim dhe një sistem elektrik hekurudhor.
Tuneli ishte 14 metra nën tokë, 1.2 metra i lartë dhe 1 metër i gjerë. Ai u ndërtua nga një prej organizatave më të njohura kriminale në Meksikë, karteli i drogës Sinaloa.
Deri më tani, 3 persona janë arrestuar dhe mund të përballën më një dënim të rëndë pasi në tunel u sekuestruan më shumë se 8 ton marijuanë dhe rreth 160 kilogram kokainë.
Vlera totale e mallit të sekuestruar shkoi në 12 milionë dollarë. Arrestimet erdhën vetëm 1 ditë pas mbylljes së tunelit.
Në zbulimin e ketij tuneli ndihmuan edhe anëtarë të ICE, U.S. Customs and Border Protection dhe Drug Enforcement Administration, e njohur ndryshe si DEA.
Lideri i kartelit që ndërtoi super tunelin është Joaquin Guzman.
Revista ‘Forbes’ e vlerësoi pasurinë e tij në rreth 1 miliardë dollarë. Ai është në kërkim nga autoritetet Meksikane që prej vitit 2001 kur u arratis nga burgu.





