TIRANE, 25 gusht 2013 – Zëvendësministri i Kulturës, Nikollë Lesi, shprehet se parlamenti i ardhshëm është më i dobëti në historinë e pluralizimit politik. Duke folur për një intervistë për “GSH”, ai thotë gjysëm me humor, se kryeparlamentari Ilir Meta, në fillim të çdo seance plenare duhet të kontrollojë deputetët për pistoletë, pasi mund të zihen dhe t’i përdorin.

“Pak me humor, por i rekomandoj kryetarit të ri të parlamentit, zotit Meta, që para çdo seance parlamentare të urdhëroj kontrollin e çdo deputeti në mënyrë të kujdesshme, si dhe sallën, pasi nga ndonjë zënkë, që nuk do të jenë të rralla këtë herë, e nga rrahjet, mund të nxjerrin edhe pistoletat disa deputetë! Kaq cilësor është këtë herë parlamenti nga të dy krahët! Edhe dyert e daljes, po kërciti sherri, janë ngushtuar nga tenderimet e këtyre viteve edhe në sallën e Kuvendit e nuk merr më shumë se një deputet, e jo si dikur kur mund të dilnin me vrap tre ose katër deputetë njëherësh nga dera e sallës”, shprehet Lesi.

Ai ndërkohë ka vlerësuar disa nga ministrat e qeverisë së re.

“Shpresoj të mos jem subjektiv, porse nga LSI-ja vlerësoj Edmond Haxhinaston dhe Nasip Naçon, e nga PS-ja, të rinjtë që mund të bëjnë epokë të re, si Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj e ndonjë tjetër”, shprehet Lesi, duke thënë se Rama ka mundësinë të hyjë në histori si një burrë shteti.