TIRANE, 25 gusht 2013 – "Nuk doja t'i qëlloja, por humba durimin, nuk doja ta bëja…". Këto kanë qenë fjalët që efektivi i policisë, Kreshnik Tahiraj ka deklaruar para oficerëve të policisë gjatë marrjes në pyetje. 43-vjeçari, pasi ka plagosur me armën e shërbimit vëllain e tij, Shpëtimin dhe nipin, Nurishin, është shprehur i penduar për veprën që ka bërë. Efektivi i qarkullimit rrugor në qytetin e Lushnjës, gjatë dëshmisë së tij ka pohuar se shkaku i zënkës mes tij dhe vëllait është toka, ku ata që të dy janë bashkëpronarë. "Donte që ta shiste pronën që kishim bashkë, por unë nuk doja të firmosja", – ka rrëfyer në polici 43-vjeçari Kreshnik Tahiraj. Lidhur me ditën e ngjarjes dy ditë më parë në zonën e Laknasit, efektivi i policisë është shprehur se vëllai i tij, Shpëtimi, 53 vjeç, i ka kërkuar bashkë me djalin e tij, Nurishin, 24 vjeç, që të takoheshin dhe të flisnin sërish për pronën e tyre. "Më kërkoi takim që të sqaroheshim. Sërish më kërkoi që ta shisnim tokën dhe unë sërish nuk pranova që të firmosja, sepse nuk dua ta shes tokën. Pas kësaj ne filluam sërish që të grindeshim. Vëllai me nipin kishin marrë edhe mjete të forta me vete. Debatuam dhe ai më kërcënoi se do më vriste. Unë këtu humba durimin dhe qëllova, nuk doja ta bëja", – ka përfunduar dëshminë e tij, efektivi i policisë së Lushnjës, Kreshnik Tahiraj. 
 

Ngjarja 

Dy ditë më parë, në zonën e Laknasit, 43-vjeçari Kreshnik Tahiraj ka qëlluar tri herë ndaj vëllait të tij, Shpëtimit, 53 vjeç, dhe nipit, Nurishit, 24 vjeç, të cilët janë dërguar në Spitalin Ushtarak. Burime spitalore sqarojnë se 53-vjeçari është plagosur në ije dhe është më rëndë, ndërsa djali i tij ka marrë një plumb në krah. Po të njëjtat burime sqarojnë se dy të plagosurit aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që ditën e djeshme nuk kanë pranuar që të flasin me mediat. Rreth orës 18:00 të ditës së premte, në rrugën kryesore të zonës së Laknasit, janë plagosur dy persona, babë e bir. Sipas policisë, ka qenë efektivi i policisë, Kreshnik Tahiraj, ai që ka qëlluar tri herë me armën e shërbimit, mbi vëllain e tij Shpëtimin dhe nipin, Nurishin. Sipas policisë, ngjarja ka pasur si motiv konfliktin për një pronë të përbashkët, që dy vëllezërve ua kishte lënë trashëgimi babai i tyre. Uniformat blu sqarojnë se certifikatën e kësaj prone e ka pasur efektivi i policisë, i cili nuk ka dashur që t'ia japë vëllait të tij për ta shitur. Ndërkohë, policia bën me dije se familjarët e të dyja palëve kanë thënë para strukturave të policisë se dy vëllezërit kishin afro një vit që nuk ziheshin më mes tyre. Sipas uniformave blu, nuk ishte hera e parë që vëllezërit ziheshin me njëri-tjetrin. Sipas bluve të kryeqytetit, të dy vëllezërit kanë qenë fqinjë me njëri-tjetrin dhe se ngjarja është shënuar pranë banesave të tyre në zonën e Laknasit. Sipas policisë, babë e bir i kanë kërkuar efektivit të policisë dokumentet e pronës së përbashkët për ta shitur atë, pasi kanë qenë bashkëpronarë. Por, 43-vjeçari nuk ka qenë dakord për këtë vendim dhe gjithmonë ka refuzuar që të jepte firmën për ta shitur truallin e përbashkët që kishte me vëllain e tij, Shpëtimin. Pas kësaj, Kreshnik Tahiraj ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar ndaj tyre, duke i plagosur rëndë. Menjëherë pas kësaj, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë, të cilët kanë vënë në pranga efektivin e policisë, i cili është vetëdorëzuar.