TIRANE, 25 gusht 2013 – "Nuk kisha lidhje dashurie me Elidonin, e kisha vetëm shok”. Kështu është shprehur para oficerëve të policisë, 20-vjeçarja Amarilda Halili, e shtruar në Spitalin Ushtarak, pas ekzekutimit të 37-vjeçarit Elidon Lafetaj.

Vajza nga Elbasani ka mohuar çdo lloj lidhje intime me viktimën e dy ditëve më parë në kryeqytet, duke pohuar se ka pasur vetëm lidhje shoqërore me 37-vjeçarin. Burime nga policia sqarojnë se vajza është marrë në pyetje po gjatë natës që persona të paidentifikuar ekzekutuan në rrugën “Irfan Tomini” në kryeqytet, 37-vjeçarin Elidon Lafetaj ose Elio Bendo, siç njihej ndryshe viktima. 

Uniformat blu bëjnë me dije se policia ka ndenjur për orë me radhë përballë derës së dhomës së spitalit ku është shtuar 20-vjeçarja, e cila është jashtë rrezikut për jetën. Pas shoqërimit të vajzës për në spital, e cila u gjet në makinën e 37-vjeçarit në momentin e ekzekutimit, uniformat blu kanë arritur të marrin një dëshmi paraprake të 20-vjeçares, për të mësuar detaje të tjera lidhur me ngjarjen. Sipas policisë, vajza gjatë marrjes në pyetje ka qenë e rezervuar për lidhjen që ka pasur me 37-vjeçarin Elidon Lafetaj.

“E kam pasur shok, nuk kam pasur lidhje dashurie apo intime me Elidonin”, mësohet se ka thënë vajza para oficerëve të policisë. E pyetur se pse ka qenë në atë orë në makinën e tij, Amarilda Halili ka pohuar se ajo bashkë më viktimën kanë qenë për darkë, pasi njiheshin prej kohësh. Sipas policisë, e reja ka pohuar se ata kanë qenë duke u kthyer në shtëpi, pasi që të dy jetonin në të njëjtën lagje. 

Burime policore bëjnë me dije se vajza nga Elbasani ka deklaruar para strukturave të policisë se në momentin kur ndodhi vrasja, 37-vjeçari ka qenë duke parkuar makinën. Para oficerëve që e kanë marrë në pyetje, 20-vjeçarja ka rrëfyer edhe momentin kur dy persona të maskuar kanë qëlluar mbi makinën me targa belge të personalizuara të viktimës.