DURRËS, 24 gusht 2013 – Muaji gusht, veç rritjes së numrit të pushuesve në plazh po shoqërohet dhe me rritjen e interesit të turistëve për të vizituar sitet arkeologjike të qytetit bregdetar të Durrësit, ku Amfiteatri mbetet monumenti më i vizituar.

Problematike mbetet situata përsa i përket vlerave arkeologjike të cilat janë zbuluar gjatë gërmimeve të pallateve dhe nuk janë konservuar apo vënë në dispozicion të vizitorëve, por përkundrazi po shkatërrohen.

Ndërkohë  gjatë këtij sezoni, Muzeu Arkeologjik nuk u vu në dispozicion të vizitorëve, në një kohë që sipas informacioneve më të fundit po punohet që në muajin Shtator, Muzeu të vihet në efiçencë. Në këtë Muze ndodhen disa prej thesareve arkeologjike të Durrësit.