TIRANË, 24 gusht 2013 – Partia Socialiste pritet të zhvillojë më 26 dhe 27 një konferencë me me titull "Shqipëria e Gjeneratës së Re", që sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra e shtypit të kësaj partie, do të fokusohet në ndërtimin e një vizioni të ri për një zhvillim të qëndrueshëm urban dhe formësimin e një modeli të ri ekonomik për një zhvillim të qëndrueshëm.
Synimi i kësaj konferencë, sipas PS është të grumbullohen eksperienca të suksesshme ndërkombëtare në mënyrë që të gjenden zgjidhjet më të mira për sfidat madhore me të cilat përballet Shqipëria.
Zyra e shtypit e Partisë Socialiste shkruan se, “Për herë të parë zhvillohet një konferencë e tillë, në këtë formë, ku fillimisht specialistët më të njohur të fushës në zhvillimin urban njihen drejtpërdrejtë me realitetin, duke e parë dhe prekur vetë atë e më pas ata do të japin rekomandimet e tyre në një konferencë të zgjeruar”.
Ministrja e ardhshme e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni gjatë këtij turi është shprehur për mediat:
“Ne jemi me një grup prej 32 arkitektësh dhe planifikuesish urban nga e gjithë bota. Kam kënaqësinë të them që janë një grup ekspertësh shumë të njohur në botë që kanë përvoja dhe karriera profesionale të shkëlqyera. Jemi vërtet shumë të kënaqur që ata janë sot me ne dhe për të na dhënë këndvështrimin e tyre, përvojën e tyre, angazhimin e tyre dhe karrierën profesionale sesi konkretisht Shqipëria mundet që sfidat e zhvillimit urban, sfidën e madhe të planifikimit të territorit mund ta realizojë me sukses për një zhvillim më të mirë ekonomik dhe social, për një zhvillim që t’i vlejë qytetarëve. Në fakt kjo është pjesë e programit që ne kemi prezantuar, programit të Rilindjes për të cilën ne jemi angazhuar që do ta realizojmë. Kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka një angazhim personal për këtë dhe pikërisht për ta ngjizur idenë që kemi dhe për ta realizuar atë sa më mirë në praktikë, në ndihmë të qytetarëve shqiptarë kemi ftuar këta profesionistë nga e gjithë bota, planifikues dhe arkitektë për të realizuar dëshirën dhe sfidën e përbashkët,” përfundoi Gjermeni.
Tabaku: Rama harron që Tirana e ka një plan urban të miratuar
Pasi PS publikoi lajmin e konferencës i menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i numrit dy të Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.
Nëpërmjet profilit të saj në Facebook, Tabaku shkruan se, “Rama paskësh ftuar sot arkitektë e urbanistë për të parë pikat historike të Tiranës, që për 11 vite nuk i dinin ku ishin dhe për të sygjeruar planin për zhvillimin. Z. Rama harron që Tirana e ka një Plan Urban të miratuar, një plan që nuk arriti t'ia japë qytetit për 11 vite dhe më në fund vjet u bë realitet, një plan që qytetarët e Tiranës më në fund po fillojnë ta zbatojnë dhe një mundësi për të zhvilluar pronat në mënyrë të barabartë e jo klienteliste”, tha ajo.





