TIRANE, 24 gusht 2013 – Sandër Lleshi, i emëruar dje nga Edi Rama si këshilltar i tij për çështjet e mbrojtjes, në një intervistë për të përditshmen Panorama jep mendimin e tij, jo këshillën për Ramën, lidhur me të ardhmen e SHQUP-it.
“Më mirëkuptoni faktin se këshillat e mia nuk do t’ia jap kryeministrit të ri përmes gazetës. Meqënëse më pyesni për këtë cështje, më lejoni të them diçka që e kam shprehur dhe më parë si mendimin timin dhe e them jo si këshilltar i Kryeministrit të ri, por si ushtarak. Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë përfaqëson një objekt simbol të FA, i cili nuk mund të tjetërsohet. FA ka nevojë për të pasur një institucion të tillë, sepse nuk bëhet fjalë thjesht për një objekt apo godinë. Këto gjëra janë atakuar krejtësisht pa lidhje, as në aspektin politik, as në aspektin simbolik. Mendoni për një çast që këtë precedent të krijuar, që çdo parti në pushtet t’i lejojë vetes në fund të mandatit marrjen e një objekti publik, cilido qoftë ai, si do të ishte Shqipëria. P.sh, pas 4 vjetësh, PS do të kërkonte Pallatin e Kulturës, apo Korpusin e Universitetit të Tiranës! Ky nuk ka sens simbolik dhe si precedent është problematik. E dyta, nuk mund t’i hiqet FA-së, një objekt i tillë. Më vjen keq me Presidentin e Republikës, komandantin e FA, ish-ushtarakut që e ka për detyrë kushtetuese dhe ligjore, por së paku e ka si detyrë morale, që FA-në ta fuqizojë dhe jo ta dobësojë”.
I pyetur nëse pajtohet me Berishën që cilësoi se institucioni është kthyer në një ambient mortesh e dasmash, Lleshit pohoi se po.
“Po, këtu i jap të drejtë z Berisha. Institucioni është kthyer në një institucion jo dinjitoz. Godina ishte kthyer në një institucion të nëpërkëmbur që nuk përfaqëson dinjitetin e Ushtrisë sonë. Por degradimi i një institucioni të tillë nuk është argument për të tjetërsuar funksionin e tij, përkundrazi, është argument për të tërhequr vëmendjen se përse është lënë kështu’.
Sandër Lleshi u shkarkua në maj të këtij viti nga Presidenti Nishani nga posti i zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Në këtë intervistë për të përditshmen Panorama Lleshi tregon edhe për njohjen me kreun e PS-së, ndërmjetësimin e Ismail Kadaresë dhe propozimin e tij nga shkrimtari i njohur si kandidat për President një vit më parë.
“Në fakt ka pasur vetëm një takim nga mesi i muajit korrik me zotin Rama ku ai më ka kërkuar që të kryej detyrën e këshilltarit të tij për çështjet e mbrojtjes. Sigurisht që propozimin e kam vlerësuar dhe e konsideroj një besim të lartë që më drejtohet mua personalisht, por përmes meje jo vetëm mua, pasi unë e ndaj si një vlerësim me të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura, të atyre njerëzve që i kanë dhënë këtij vendi një shërbim shumë të madh. Pra, vlerësimin nuk e mbaj personal, por e ndaj me shumë ushtarakë të FA. E kam pranuar propozimin për arsye se besoj që programi politik i zotit Rama dhe i qeverisë së tij tashmë ofron një model të ri për zhvillimin e vendit në tërësi, por dhe një qasje të re për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e vendit. Duke qenë se te ky program kam parë hapësirën ku unë mund të bashkoj kontributin tim, atëherë e kam pranuar me shumë kënaqësi dhe me vlerësim këtë ftesë të zotit Rama”.
Kurse mbi emërimin e zonjës Mimi Kodheli në postin e ministres së Mbrojtjes, Lleshi tha se kjo është një risi e madhe në shumë plane.
“Për herë të parë në historinë tonë një grua në këtë post tradicional meshkujsh… T’ju them të drejtën, në përgjithësi lista e kabinetit të ri më ka shtuar dozën e optimizmit për suksesin e qeverisë. Pjesë e këtij optimizmi është dhe nominimi i zonjës Kodheli si ministre e Mbrojtjes. Është një risi e madhe në shumë plane. Nuk është thjesht fakti i të qenit grua, por janë shumë elementë të profilit të saj që e bëjnë këtë vendim një shenjë shumë pozitive.
Jemi në një epokë ku edhe mbrojtja nuk është çështje e muskujve, por çështje e intelektit, e mendjes. Ky është një sinjal i goditur dhe një vendim oportun, sepse vendi i ministrit të Mbrojtjes në tavolinën e rrumbullakët ku ulen ministrat e mbrojtjes të NATOs do të zihet nga një zonjë e cila përfaqëson Shqipërinë dhe ky përfaqësim nga zonjat i bën nder Shqipërisë”, tha Lleshi në këtë intervistë.





