24 gusht 2013 – Arkeologët në Greqi kanë gjetur një varr të lashtë, për të cilin dyshojnë dhe besojnë se i takon Aleksandrit të Madh. Varri është zbuluar në Amfipoli Serres. Ai është 498 metra i gjatë dhe 3 metra i lartë. Sipas zbuluesve, varri i gjetur është 10 herë më i madh se ai i Filipit, babait të Aleksandrit. Varri është prej mermeri, në formë piramide, me simetri e harmoni të madhe dhe në krye të tij është vendosur një luan, i cili është simbol karakteristik i Mbretërisë maqedonase dhe interpretohet nga zbuluesit si një shenjë që tregon se ai i takon një varri mbretërish. Edhe pse arkeologët nuk kanë arritur në përfundimin se varri i gjetur është ai i mbretit Aleksandër, i cili vdiq në vitin 323 p.e.s, besojnë fuqimisht në këtë version. Ministria greke e Kulturës u tregua shumë e kujdesshme në një deklaratë të saj, ku e vlerësoi zbulimin veçanërisht të rëndësishëm, por theksoi se interpretimi dhe identifikimi me figura historike para përfundimit të gërmimeve, është i rrezikshëm. Gjetja e varrit të Aleksandrit të Madh, që mendohej se ndodhej në Egjipt, ka qenë gjithmonë një ëndërr dhe nëse dyshimi vërtetohet, atëherë zbulimi i ditëve të fundit do të ishte një nga zbulimet më të mëdha arkeologjike të të gjitha kohërave. Edhe media ndërkombëtare ka raportuar për gjetjen e varrit të lashtë në Greqi. Aleksandri (Leka) i Madh ka vdekur nga ethet në moshën e tij 34-vjeçare, në vitin 323 para epokës sonë. Ekzistojnë shumë hipoteza për vendndodhjen e varrit: disa shkencëtarë thonë se Aleksandri i Madh është varrosur në Aleksandri, të tjerë në Pela, në afërsi të Selanikut të sotëm, ndërsa disa të tjerë supozojnë se eshtrat e tij ruhen në një vend të fshehtë në Persepolis, ose në Iranin e sotëm.

Kush ishte Aleksandri i Madh

Aleksandri i Madh (në greqisht: Μέγας Αλέξανδρος) gjithashtu i njohur si Aleksandri i III i Maqedonisë, ishte mbret i Maqedonasve dhe Grek i lashtë. Epoka e Aleksandrit përbën gur themeli për mbretërit që vijuan dhe shënon fundin e lashtësisë klasike. Aleksandri i Madh ishter një ndër komandantët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, ku në moshën 32 vjeçare kishte pushtuar pjesën më të madhe të botës së atëherëshme (në shek IV p.e.r). Aleksandri lindi në Pela të Maqedonisë në vitin 356 p.e.r. Prindërit e tij ishin mbreti i Maqedonisë Filipi II dhe nëna e tij princesha e Epirit, Olimpia. Pas vdekjes së Filipit II, i biri u ngjit në fron për të vazhduar taditën mbretërore. Historia ka treguar se Filipi II, ishte një komandant, diplomat dhe politikan shumë i zoti. Në përgjithësi ishte njeri korrekt por jo rrallë herë shfaqte shenja dhune dhe pasione të egra. Aleksandri përfundoi bashkimin e të gjithë qytet-shteteve greke të kohës dhe pushtoi pjesën më të madhe të botës së atëherëshme (Azisë së Vogël, Persisë, Egjiptit) duke arritur deri në Indi.

Miti i Aleksandrit

Menjëherë pas vdekjes së tij Aleksandri u shndërrua në mit, që nga India deri në Atlantik, duke ndjekur modele të ndryshme sipas popujve. Persianët thonin se Aleksandri ishte i biri i Darios, ndërsa Egjiptianët imagjinonin se ishte djali i mbretit të fundit të Egjiptit. Në traditën Arabo-persiane Aleksandri quhet Sikander, në Persisht Iskadar dhe në Arabisht Dhul-Qamayn, për shkak të paraqitjes së tij në monedha me brirë dashi. Sipas kërkuesve Aleksandri i Madh përmendet dhe në Kuran me emrin DHIKEROS, si mbret i madh që ndërtoi piles, me qëllim që të mbronte njerëzit e pafajshëm nga barbarët Gog dhe Magog. Gjatë viteve Bizantine prania e figurës së Aleksandrit të Madh ndërthuret me mjaft histori të famshme, shumë e kishin fantazuar si njeriun e shenjtë që përveç profecive të tij ndihmonte dhe në ndërtimin e disa manastireve në shkretëtirë. Shumë tradita në Greqi u krijuan rreth Aleksandrit, dhe disa shenja e rrënoja në ndërtesa të hershme ndikojnë “praninë” e atëhershme të tij. Shumë e përhapur është dhe thënia ku sipas traditës Aleksandri i Madh ka qenë vëllai i sirenës së detit e cila pyeste here pas here marinarët “nëse jeton mbreti Aleksandër”, dhe e vetmja përgjigje që pranonte të merrte ishte se “jeton dhe mbretëron.”