TIRANE, 24 gusht 2013 – Merr një tjetër rrjedhë skandali i paprecedentë i grabitjes së Shtëpisë së Ushtrisë nga treshja Sali Berisha, Bujar Nishani dhe Arben Imami, për ta kthyer në seli për Partinë Demokratike. Trualli ku ndodhet SHQUP-i rezulton pronë private dhe me pronar të ligjshëm, ndërsa treshja në fjalë po ushtron presion mbi pronarët për të marrë godinën. Pra, Partia Demokratike po tenton të zhvendoset nga një godinë ku toka është publike, tek një godinë me pronarë të ligjshëm. Gjithçka është zbardhur pak ditë para zhvendosjes së PD në forcë në godinën e SHQUP-it. Megjithatë, në ditët e fundit të pushtetit, kryeministri në ikje, Sali Berisha, po nxiton të marrë SHQUP për seli të PD, duke rishpronësuar pronarët e vërtetë. Trualli i SHQUP i është njohur tërësisht dhe u është kthyer pjesërisht pronarëve të saj të ligjshëm të Sadete Toptanit, që janë Marion Toptani, Eduard Toptani dhe Raimaond Toptani. Pronarët të cilët trashëgojnë pronën si trashëgimtarë të ligjshëm të ish- pronares Sadete Toptani, janë qytetarë amerikanë, dhe jetojnë në shtetin e Miçiganit. Por, me të marrë vesh lajmin, ata janë kthyer në Shqipëri. Pronarët jo vetëm që kanë dokumentin e njohjes së pronës, por dhe hipotekën për një pjesë të truallit në oborrin e SHQUP-it, të regjistruar nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive, si dhe të drejtën e parablerjes së SHQUP, nëse ai nxirrej nga inventari i pasurive të Ushtrisë. Fakti që SHQUP u nxor nga inventari i Ushtrisë, u jep automatikisht të drejtën pronarëve të jenë blerësit e parë të ndërtesës, pa lejuar që kjo pronë të rishtetëzohet përsëri për interesa të një partie politike.
Pronarët e ligjshëm
Pronarët e ligjshëm të truallit ku është ndërtuar Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, e kanë fituar pronën me vendim nr 827, datë 8 prill 1996 nga Komisioni i Kthimit të Pronave në Tiranë. Në vendim thuhet se në bazë të dosjes së paraqitur, Sadete Toptani është pronare e një prone regjistruar në regjistrin hipotekor me nr. 1229, në nëntor të vitit 1918, e cila përmes një vendimi të vitit 1950 është shtetëzuar. Në këtë pronë përfshihen: Trualli që zë ndërtesa e SHQUP 960 m; trualli që zë magazina; trualli që zë një godinë provizore; truall që zënë rrugë e trotuare; truall i lirë rreth 9200 metra; trualli që zë Instituti i Ushtrisë dhe trualli që zë një kioskë provizore. Në vendim përshkruhen qartë kufijtë e pronës dhe sipërfaqet që kthehen menjëherë dhe ato që kanë të drejtën e parablerjes. Sipas vendimit, “trualli me sipërfaqe 3500 metra i kthehet menjëherë Sadete Toptanit. Trualli me sipërfaqe 4100 metra i kthehet menjëherë Sadete Toptanit. Trualli i zënë me ndërtime provizore dhe kioska i kthehet Sadete Toptanit. Trualli i zënë nga ndërtesa e Ushtrisë i njihet dhe duhet t’i kompensohet Sadete Totpanit. Në momentin e privatizimit, i lind e drejta e parablerjes pronarit. Prona e SHQUP nuk mund t’u kthehej pronarëve, pasi ishte në inventarin e Ushtrisë. Në momentin që ajo hiqet nga ky inventar, ajo i kthehet pronarit, duke i dhënë të drejtën e parablerjes. Pronarët e ligjshëm në truallin e SHQUP, kanë bërë dhe një plan të zhvillimit te zonës, me arkitektë amerikanë dhe ja kanë paraqitur Lulzim Bashës në bashki për miratim. Me pak fjalë, qeveria në ikje po grabit pronat, duke shfrytëzuar kështu çdo ditë të pushtetit për interesat personale në dëm të qytetarëve.
Shkresa e ministrit Noka
Ministri i Brendshëm në ikje, Flamur Noka, u ka dërguar dje një shkresë pronarëve të ligjshëm të largohen nga territori ku ata kanë marrë pronën dhe e kanë regjistruar atë. Bëhet fjalë për territorin para SHQUP-it, ku pronarët e kanë marrë pronën dhe e kanë të regjistruar në hipotekë. Ministri i Brendshëm i urdhëron të largohen nga prona e tyre, se ndërtesa do t’i kalojë Partisë Demokratike. Shkresa, përveçse është në shkelje të qartë të Kushtetues për të drejtën e pronës, është dhe arbitrare nga pikëpamja procedurale, pasi kërkon të trajtojë si qiramarrës pronarin dhe si pronar, qiramarrësin e ri. Ekzistojnë dy dokumente që provojnë regjistrimin në hipotekë të pronës në emër të trashëgimtarëve të Sadete Toptanit. Bëhet fjalë për truallin në oborrin e SHQUP, ku janë eliminuar vetëm rrugët dhe trotuaret. Sipas vendimit të kthimit të pronave, ata duhet të marrin dhe godinën për të cilën tashmë kanë të drejtën e parablerjes.
Qytetari nga Vlora denoncon Nishanin: Po më grabit pronën
Një qytetar nga Vlora, Hamza Hamzaj, ka denoncuar presidentin Bujar Nishani, se po i grabit pronën të trashëguar prej 72 vjetësh, nëpërmjet vartësit të tij Florian Astrit Nuri. “Unë ju akuzoj, se ky zyrtar që ju s’e kini ndarë asnjëherë nga vetja, duke shfrytëzuar detyrën, privilegjet dhe përkrahjen tuaj, po më rrëmben pronën e trashëguar nga babai, qysh prej 72vjetësh. Ky bir komunisti, që s’kish humbur asgjë në sistemin e Enver Hoxhës, edhe në saj të lapsit të të atit, që e lajkatonte atë si “udhëheqësin e pazëvendësueshëm të shqiptareve”, tani, jo vetëm me emrin e tij (rahmet pastë), por edhe me emrin tuaj dhe të karriges që i kini dhënë, po merret me atë (mua, trashëgimtar të ligjshëm), që u fut në proceset demokratike jo si bir komunisti, por si bir i persekutuar. Unë ju akuzoj juve me guxim dhe me të drejtë, se është forca juaj e përkrahjes, është mospërfillja juaj ndaj ankesave dhe denoncimeve të mia, që atë e bënë “të fortë”, shprehet qytetari.
/Eneida Jaçaj, SOT NEWS/





