Nga Alqi Kadenasi

Problemi i reformës  administrative është një problem i një rëndësie  të madhe, jo vetëm  administrative, por edhe politike, ekonomike dhe ca më shumë administrimi. Përcaktimi i saj si një prej prioriteteve të qeverisë së re, e justifikon plotësisht atë.

Sipas meje, paketa e kësaj reforme, do të duhej të kishte dy shtylla: nga njëra anë  reforma territoriale dhe nga ana tjetër, ajo e kompetencave të administratës vendore.

Si një njohës i mirë i problemeve që kanë të bëjnë me pushtetin vendor, për arsyen e thjeshtë se kam qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Durrësit për afro trembëdhjetë vite me radhë, si dhe drejtues i pushtetit vendor në dy nivele të tij, dëshiroj të nënvizoj se trajtimi i reformës administrative  është një çështje në kohën e duhur.

Sipas meje, pa dashur që të mendohet se po them fjalën e fundit, por thjeshtë e vetëm nga përvoja personale në administrimin e pushtetit vendor, mbeten përcaktuese disa elementë si:

Gjetja e momentit kohor për realizimin e reformës administrative, ka qenë dhe vijon të jetë një nga elementët  bazë që përcakton  suksesin e saj.

Në këtë kuptim, ngritja e këtij problemi dhe shtruarja aktualisht  për zgjidhje, është në kohën e duhur. Fakti që jemi mbi një vit e gjysmë larg zgjedhjeve vendore të radhës, do të duhej të shërbente si një nxitje reale për realizimin e reformës administrative.

Do të duhet të kapërcehet domosdoshmërisht  konflikti” i përhershëm  ndërmjet nevojës për afrimin e shërbimeve pranë qytetarëve, efikasitetit ekonomik e profesional të administratës vendore dhe realizimit të reformës administrative territoriale.

Në rastet e mëparshme, reagimi  i qytetarëve ndaj përpjekjeve për reformë të pjesshme administrative, duket se ka qenë  jofavorizues për reformën. Qytetarët  e kanë  lidhur atë me “largimin” e disa shërbimeve (gjendja civile; shërbimi i kolaudimit të automjeteve e të tjera).

Shtoi kësaj që, në qeverisje e sapokapërcyer, dimensioni politik i reformës administrative ka qenë parësor, duke paracaktuar edhe fatin e saj. Komuna me disa qindra banorë u shndërruan në bashki; u krijuan rrethe më vete jashtë çdo kriteri administrativ dhe efikasiteti profesional e ekonomik. Asgjë e mirë nuk erdhi nga kjo “reformë” as për njerëzit e as për  qeverisjen efektive.

Në këtë kuptim do të duhej të  punohej me profesionalizëm për të mos cenuar asnjëherë kriterin sipas  të cilit, çdo reformë do të synonte që të afronte shërbimet tek qytetarët e jo t’i largonte ato.

Arritja e konsensusit  ndërmjet krahëve politikë duket se do të jetë një nga elementët që do përcaktojë suksesin e pritshëm të reformës administrative. Si çdo gjë e re, edhe reforma e shtrirjes territoriale do të hasë në kundërshti. Nuk ka dyshim se një pjesë e administratës lokale do të vijojë të jetë pengesë për realizimin e reformës përmes reagimit kundërshtues politik. Nuk përjashtohen edhe kundërshtitë që lidhen me interesa të ngushta  personale e rajonale.

Vullneti politik, konsekuenca e qeverisjes  së re për realizimin domosdoshmërisht të reformës administrative, do të jetë përcaktuese në suksesin e saj.

Alternativat e ndarjes administrative mund të jenë të ndryshme, por ka ardhur koha që numri i bashkive dhe i rajoneve (qarqeve) të kufizohet. Mundësitë e sotme të digjitalizimit të të dhënave, logjistika, programet, aftësitë profesionale të administratorëve, lejojnë kryerjen e shërbimeve ndaj taksapaguesve  shpejt  e saktë.

Kufizimi në  krijimin dhe konstituimin e vetëm rreth 40 bashkive dhe  rreth 5-6 qarqeve në shkallë vendi, do të ishte një alternativë që lidh mirë nevojat tona me detyrimet në kushtet e përafrimit me kërkesat e  legjislacionin e Bashkimit Europian.