·        Dhuna në familje / Një 36-vjeçar kërkon mbrojtje nga dajaku i të vëllait, 10 vjet më i vogël

 

DURRËS, 23 gusht 2013 – Edhe në Shijak ka femra që rrahin burrat, kështu ka ndodhur me një 22 vjeçe, me inicialet K. C., që është paditur në polici nga bashkëshorti 27 vjeç. Burri ka kërkuar tek uniformat blu lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, pasi ndaj tij e shoqja ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike. Ka disa ditë rresht që drejtoria e policisë së qarkut të Durrësit plotëson dhe i dërgon gjykatës së rrethit gjyqësor të Durrësit mesatarisht nga tri-katër kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, sikurse ka ndodhur dhe më 22 gusht 2013. Viktima të epidemisë së dhunës në familje janë të gjithë, gruaja, fëmija, vëllai, kryetari i familjes, vjehrri, vjehrra. Kështu, përveç rastit të femrës agresore, është dhe rasti i një 36-vjeçari, nga fshatrat e Durrësit, i cili pretendon se vëllai i tij, E. P., 26 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Forcat e rendit i kanë kërkuar gjykatës lëshimin e urdhër-mbrojtjeje të menjëhershme edhe për një 30-vjeçare nga bashkëshorti, B. K., 33 vjeç.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/