DURRËS, 22 gusht 2013 – Kompania indiane me filial në SHBA OSI Systems, Incnjofton e kënaqur se në Shqipëri do të fitojë 150-250 milionë dollarë për 15 vjet nga monopoli skanimit të automjeteve në dogana. Në një komunikatë për shtyp më 21 gusht 2013 OSI Systems, Inc bën të ditur se qeveria shqiptare i ka akorduar departamentit të sigurisë së kompanisë Rapiscan Systems një kontratë pesëmbëdhjetë-vjeçare për shërbimin e kontrollit të sigurisë së ngarkesave dhe automjeteve me monitor në pika të ndryshme në të gjithë vendin. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv iOSI Systems, Dipak Çopra (Deepak Chopra, shih foton) e konsideroi të rëndësishme këtë kontratë në një njoftim të 21 gushtit 2013 të vetë kompanisë. Sipas kompanisë,Rapiscan Systems synon të ofrojë një program gjithëpërfshirës skanimi me rreze X, i cili do të inkorporojë mbështetje me teknologji, personel, sisteme integrimi dhe mirëmbajtje në të gjithë pikat doganore të Shqipërisë. Kompania pretendon se këto kapacitetet operacionale janë të destinuara të rrisin potencialin e qeverisë shqiptare për të ndaluar kontrabandën dhe materialet e padeklaruara. Kompania aktualisht pret që të ardhurat totale bruto mund të shkojnë 150-250 milionë dollarë gjatë gjithë periudhës së marrëveshjes.
“PARADHËNIE”: 1 VIT E 13 DITË PARA
Ministria e Financave thotë se ofertën kjo kompani e ka paraqitur më 15 nëntor 2012, por një vit e13 ditë më parë, ka dalë një Vendim nr. 755, datë 2.11.2011 i Këshillit të Ministrave (“Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë”, shih faksimilen). Në pikën dy të Vendimit flitet për miratimin e bonusit prej 8 për qind të pikëve për rezultatin teknik e financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (i pakërkuar), që i jepet shoqërisë “Rapiscan Systems”.
PRIVATIZIMI
Ky projekt do të zbatohet minimalisht në pesë pika doganore kufitare përfshirë dhe portin e Durrësit. Sipas vendimit, që parashikon edhe kushtet e tenderit për përzgjedhjen e firmës koncensionare, në portin e Durrësit do vendoset të paktën një skaner fiks. Ndërsa vendndodhja për skanerët e tjerë do të përcaktohej nga autoritetet doganore bazuar në ndryshimin e fluksit dhe analizës së riskut. Në vendimin e Ministrisë së Financave mësohet se në këto pika doganore do të skanohen 100 për qind e kontejnerëve dhe automjeteve që transportojnë mallra. Ndërkohë në listën e mjeteve që do të skanohen mund të shtohen me kërkesës të autoritetit doganor edhe mjetet e transportit të udhëtarëve. Tarifa për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhet nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, të cilët pasi njihen me deklarimin përmes deklaratës tatimore me të dhënat dhe sasinë e mallit që ndodhen në kontejnerin për zhdoganim, verifikojnë fizikisht ngarkesën.
KUNDËRSHTIMI I BIZNESIT
Kontrolli fizik i mallrave që hyjnë e dalin në doganën shqiptare, kundrejt një pagese 39 euro për çdo mjet, ka rritur koston ndaj biznesit. Biznesi është kundër kësaj procedure, që nuk i shërben sipërmarrjes dhe nuk lufton kontrabandën dhe evazionin. Alban Zusi, shef i departamentit të eksporteve, pranë Dhomës së Tregtisë, Tiranë deklaron se “ky nuk është shërbim shtesë që i ofrohet biznesit dhe për këtë motiv nuk ka se përse ta paguajë biznesi. Pra, një procedurë inspektimi me skaner nuk është shërbim shtesë, është thjesht inspektim nga drejtoria e doganave për të cilën është vetë kjo drejtori që duhet të marrë masa, duhet të gjejë fondet etj, për ta bërë këtë punë. Së dyti, kjo është një kosto e shtuar e cila së fundmi do të rezultojë me koston e shtuar për xhepat e konsumatorëve. Çdo biznes normal këtë kosto do ta reflektojë në çmimin e produktit bazë që do të hidhet në treg”. Alban Zusi thotë se kontrolli fizik me skaner nga një kompani private ka krijuar situatë monopol, dhe qeveria e ka favorizuar atë për të fituar tenderin. “Ky mund të ishte mirë një shërbim që mund ta realizonte administrata publike, dogana shqiptare, mund të blinte një skaner, që nuk mund të kushtojë sa pagesa që biznesi do t’i bëjë në harkun e një viti kësaj kompanie, përkundrejt kësaj tarife”, -u shpreh Alban Zusi. Biznesi e ka kundërshtuar këtë vendim që kur ai ishte në formë drafti, por zëri i sipërmarrjes nuk u dëgjua. Zusi thotë se në shtator do të kërkohet nga qeveria e re shfuqizimi i këtij vendimi. Tarifa 39 euro, për këtë shërbim paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, që verifikonin deklaratën doganore edhe verifikimin fizik të ngarkesës. Kontrolli fizik kryet për çdo lloj malli, përjashtuar ato ushqimore, pasi rrezikojnë të marrin rrezatim. Në këtë vendim përfshihen edhe mallrat që kalojnë për transit në vendin tonë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





