BARI, 22 gusht 2013 – Sikurse njofton agjencia italiane zyrtare e lajmeve ANSA, po vazhdojnë, pa sukses, dy ditë radhazi, kërkimet për një shqiptar, 31 vjeç (sipas La Repubblica-s), që u pa të hidhej në det, nga një udhëtar i tragetit “Bari”, i nisur nga porti i Barit dy ditë më parë në drejtim të Durrësit. Ngjarja është shënuar në orët e vona të së martës, tri milje larg portit të Barit në Itali. Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, gjendej në bordin e tragetit. Ky person u dëbua nga kuestura e Teramo-s dhe i dorëzua komandantit të anijes. Por rreth tri milje larg portit shqiptari është hedhur në det. Skena është parë nga një udhëtar tjetër i anijes, i cili ka dhënë alarmin. Komanda e anijes ka lajmëruar kapitanerinë e Barit. Në kërkim, i cili do të vazhdojë deri në mbrëmjen e 22 gushtit, janë të angazhuar dy motovedeta dhe një gomone.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/