22 gusht 2013- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka firmosur sot marrëveshjen me Bankën Kombëtare Tregtare për kreditimin e sipërmarrësve të rinj me qëllim nxitjen e zhvillimit të biznesit dhe rritjen e punësimit.“Është një vendim, i cili shkon drejtpërdrejt objektivit tonë për të bere maksimumin e mundshëm si Bashki për punësimin. Me këtë vendim jam i sigurtë se hedhim një hap akoma të paprekur nga pushteti lokal por me leverdi të madhe sa i përket rolit që pushteti lokal, qeverisja vendore ka për të siguruar zhvillim ekonomik dinamik dhe shanse per punesim, vecanerisht per brezin e ri. Këto kredi përmes garancisë së bashkisë së Tiranës prej 1 mln dollarësh, jepen me interes 2-3 herë më të ulët se norma në treg dhe përfitues janë të rinjtë nga mosha 23-35 vjeç.Duke investuar besimin tonë të plotë në aftësitë sipërmarrëse të rinisë shqiptare, duke vendosur paratë e taksapaguesve të kryeqytetit për të demonstruar këtë besim, ne tregojmë që edhe pushteti lokal ka mundësi të mbështesë dhe nxisë bizneset e reja, përmes tyre edhe punësimin. Është moment me një kënaqësi të shumëfishtë për mua dhe me interes të shumëfishtë për të rinjtë”, u shpreh Basha në fjalën e tij.