TIRANË,22gusht 2013-Përfundon mbledhja e qeverise se re në Vlorë drejtuar nga kryeministri i zgjedhur Edi Rama. Mbledhja ka vijuar me dyer të mbyllura edhe sot (rreth orës 10:00) në ditën e dytë të takimit.
Ndërkohë që pas përfundimit të saj nuk ka pasur asnjë deklaratë nga ana e pjesëmarrësve. Pas mbledhjes Rama hodhi përshtypjet e tij në rrjetin social “Twitter”: “Mbyllet në Vlorë takimi i parë informal i qeverisë së re. Detyrat janë tonat, pushteti i popullit”.
Pas mbledhjes informale të qeverisë ende të pabetuar, Rama pritet të takohet me krerët bashkiak, në qytetin ku ai u zgjodh për herë të parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo është hera e parë që z. Rama pati përballë të gjithë ministrat e emëruar prej tij më 31 korrik, pa marrë ende zyrtarisht mandatin.
/balkanweb/





