Durrës, dy kompani fitojnë tenderë të fuqishëm për karburante dhe vajra lubrifikante
 
DURRËS, 21 gusht 2013 –  Në prag të rrotacionit, qeveria në detyrë ka organizuar një tender për furnizim njëvjeçar me karburante, ku Berisha merr benzinë pa plumb vetëm një muaj, kurse pjesën tjetër e merr pasardhësi i tij Rama, por bie në sy se këtë do ta bëjë një nga petro-kompanitë më të fuqishme në vend, që selinë e ka afër Urës së Dajlanit. Kastrati sh.a fiton ankandin e Ministrisë së Brendshme për furnizim me lëndë djegëse për automjete benzinë pa plumb në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë, me fond limit 159 734 337 lekë. Kanë qenë pjesëmarrës në procedurë dy ofertues nga Durrësi, Kastrati sh.a. me marzh fitimi 26 lekë/litër, që ftoi për ofertën 1 lek për litër më pak marzh fitimi sesa Europetrol sh.a me marzh fitimi 27 lekë /litër. Po ashtu Kastrati sh.a. fitoi dhe një kontratë prej 38 988 000 lekësh për karburant për nevojat e KESH sh.a. me kohëzgjatje një vit. Ka pasur këto marzhe fitimi: “blu diesel” 17 lekë/litër; “diesel për konsum kaldaje” 15 lekë/litër dhe “benzinë super pa plumb” 17 lekë/litër.
Kurse kompania tjetër e fuqishme durrsake me seli, po në Shkozet, Kappa Oil sh.a., fitoi në konkurrimin e kërkesës për propozim të parkut të udhëtarëve të Beratit për vajra lubrifikante, graso dhe alkool frenash. Kontrata ka një vlerë prej 407600 lekësh. Kappa Oil do të furnizojë autobusët e Beratit me 200 litra vajra transmisioni ATF Dexron II D; 100 kg graso kalciumi; 10 litra alkool frenash; 1100 litra vajra për motor SAE 20 w/50.
 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/