21 gusht 2013- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka komentuar mbledhjen e mazhorancës së re qeverisëse në qytetin e Vlorës. Basha e ka etiketuar mbledhjen si "organizim okult, për të detajuar planet e z. Rama dhe mazhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike"."Edi Rama bëri sot një takim privat, me qeverinë e tij private, në një ndërtesë private dhe gjithçka që u bisedua atje mbeti private. Kryeministri i ardhshëm ka mbyllur dyert për mediat, edhe pse kur ka lajmëruar këtë mbledhje qeverie, në rrjetin social ka folur për përgjegjshmëri e transparencë.Por ne e dimë se ka arsye të forta për z.Rama për të mbyllur dyert. E para, sepse ky është stili i tij i qeverisjes. E ka treguar për vite të tëra në Bashkinë e Tiranës. E dyta, sepse këto nuk janë mbledhje kabineti, por janë organizime okulte për të detajuar planet e z.Rama dhe mazhorancës se re në copëtimin dhe pushtimin e administratës publike. Dhe e treta, ku më mirë se buzë detit, në një hotel luksoz, larg syve të botës, mund të vendoset për ndarjen e tortës së pushtetit, për caktimin e linjave të përfitimit për z.Rama dhe aleatët e tij.Kjo është mbledhja e vertetë dhe arsyeja e vertetë e këtyre takimeve të z.Rama. Deklaratat me fjalë të bukura, janë vetëm makiazh për t'iu fshehur qytetarëve planet e errëta dhe për t'i bërë bisht premtimeve zgjedhore stratosferike", shkruan Lulzim Basha.





