DURRËS, 21 gusht 2013 – Të shkosh në malet e Krujës për të zbuluar bimë narkotike, madje të gjesh dhe të asgjësosh vetëm 270 rrënjë, ky është një mundim i jashtëzakonshëm për ruajtësit e rendit. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit bëri të ditur se më 20 gusht 2013, në zbatim të plan-operacionit anti-drogë “Arratesh”, u ushtrua kontroll territori në fshatin Mafsheq të komunës malore të Çudhisë në rrethin e Krujës. Uniformat blu, në një vend të shpyllëzuar, larg banesave, gjetën 13 parcela të mbjella me 270 rrënjë kanabis. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet iu përcollën prokurorisë së Krujës për veprën penale “kultivim i bimëve narkotike”. Para 10 ditësh, po në Mafsheq u asgjësuan nga policia dhe FNSH-ja 1300 rrënjë kanabis.
Info /
Komuna Çudhi ka në përbërje fshatrat Nojë, Mafsheq, Shqezë, Shkretë, Çudhi-Qendër, Çudhi-Kamp, Kroi-Madh, Bruz-Zall, Bruz-Mal, Rranxë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





