Lajmi / Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kanë “harruar” një objekt të zbuluar 8 vite më parë në Durrës. Kryqi i Meandrit (kryqi i thyer ilir), mozaik i zbuluar në vitin 2005, tashti është pjesë e një baseni në fund të një pallati të zhytur mes ujërave të zeza. Objekti ndodhet në qendër të qytetit antik.

Nga Mark Brunga

DURRËS, 20 gusht 2013 – I projektuar në një banesë antike si pjesë e dyshemesë luksoze te asaj periudhe,  tashmë është “dënuar” që të kaloje një periudhë të vështirë të CV-së së tij nën ujërat e zeza të një bodrumi. Pasi kur u zbulua, simboli mitologjik i diellit, i shprehur në formën e kryqit të thyer, është cilësuar si zbulimi i shekullit në Durrës. Atë periudhë është trumbetuar se është zbuluar një mozaik të rrallë nga gërmimet që po kryheshin nga specialistë të departamentit të arkeologjisë në Durrës. Shefi i Departamentit të Arkeologjisë për Durrësin, Afrim Hoti, i cili drejtonte punimet, ka bërë publike në atë periudhë përmasat e mozaikut. Ishte mozaik me sipërfaqe prej 7 m katrorë, i punuar në tekniken bardhezi. Në mediet e kohës u shkrua se mozaiku i famshëm i përkiste shek. I të e.s, pra me një moshë afërsisht dymijëvjeçare. Sipas Hotit, “mozaiku ka në brendësi simbolin e Meandrit ose të diellit në lëvizje”. Ka formën e kryqit të thyer. “Pjesë të këtij simbolli mitologjik janë dhe shenjat e rrufeve”. Hoti konfirmoi në vitin 2005 se “përreth zonës, në të cilën ndodhet mozaiku, janë zbuluar dhe afreske floreale që i përkasin të njëjtës periudhë, shek. I të e.s.”, dhe se “mozaiku është në gjendje relativisht të mirë, në një kohë që do të jenë specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ata që do të vazhdojnë punimet e mëtejshme në këtë mozaik që zbulohet për herë të parë në qytetin e Durrësit”. Për Dr. Hotin, punimet duhet të ishin “tepër delikate, pasi në fragmente të veçanta të mozaikut ka elementë betoni që duhet të largohen me kujdes për të mos dëmtuar guralecët që ndodhen poshtë tyre. Rreth 70 për qind e mozaikut është në gjendje të mirë. Gurët e zinj nga koha kanë marrë një refleks blu të errët”.

Historia

Mozaiku doli në dritë nga gërmimet për hapjen e themeleve të një pallati në lagjen 11 të qytetit të Durrësit, ku u zbuluan rrënojat e një lagjeje antike. Me të hasur shtresën arkeologjike, Drejtoria e Monumenteve të Kulturës në Durrës dhe Departamenti i Arkeologjisë kanë ndërprerë punimet dhe pas udhëzimeve të IMK-së, një grup arkeologësh punuan për nxjerrjen në dritë të plotë të këtij zbulimi me shumë vlerë. Ndërkaq, një grup tjetër arkeologësh, siç u deklarua ne atë periudhë,  punoi në parcelën arkeologjike të po kësaj lagjeje ku fillimisht janë zbuluar gjurmët e një insule (lagje antike), e cila mendohet se i përket periudhës antike, më saktë të fillimit të kolonisë romake dhe në vazhdim. Nën themelet e pallatit te mbuluar tashme me ujëra të zeza, u  gjendën struktura kthinash të teknikës së njohur të ndërtimit romak, të cilat ndeshen dhe në amfiteatrin e Durrësit. Po kështu, në një parcelë me sipërfaqe rreth 600 m katrorë është grumbulluar një lëndë e pasur arkeologjike, për të cilën u tha se u përpunua imtësisht. Sipas arkeologut Hoti, interesant është fakti se si rrallëherë në këtë lagje antike përplaseshin disa periudha, duke filluar nga ajo helenistike, romake deri në periudhën bizantine. Pallati shumëkatësh që do të ndërtohej në këtë zonë, ka pasur leje nga KRT-ja e bashkisë së Durrësit dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, por me zbulimin e gjetjeve arkeologjike, punimet janë ndërprerë fillimisht deri në zbulimin e plotë të objektit. Mendohet që gërmimet të zgjeroheshin në një zonë më të gjerë se sa po gërmohej, ndërkohë që u deklarua se ishte vetëm IMK-ja që do të vendosë për të lejuar ose jo vazhdimin e ndërtimit. Pikërisht në rrënojat e mureve të insulës janë zbuluar dhe 10 skelete, të cilat mendohet se u përkasin shekujve 7-9. Lagjja antike mendohet se është një lagje e vogël, që përmbledh një numër të kufizuar banesash me anekse shërbimi. E gjithë insula ishte e përshkuar nga rrugica. Gërmimet e mëtejshme dhe dokumentimi i tyre do të hidhnin dritë në pasuri të tjera arkeologjike që fsheh kjo zonë. Kjo ishte situata,  punimet dhe deklarimet e vitit 2005.

Paradoksi

Fotot që po paraqesim, tregojnë jetesën e sotme të Kryqit të Menadrit, i cili, sipas zbuluesit të objektit në fazën e parë të punimeve, arkeologut te ri të talentuar Edi Shehu, ka një rëndësi të veçantë edhe si objekt i rrallë i kulturës sonë kombëtare, por edhe si objekt që është gjendur dhe ruajtur ne vendin e vet. Shehu thotë se është fatkeqësi që ai ka përfunduar tashmë në pjesën fundore të një “koshi”mbeturinash, siç është baseni i ndotur me ujëra të zeza në themelet e një pallati në qendër të qytetit të Durrësit. Por paradoksi është evident kur merret vesh se ky objekt që u vlerësua me nota maksimale ne vitin 2005 kur u zbulua, nuk është i regjistruar në listën e monumenteve të qytetit të Durrësit. Ekspertet rajonalë të Durrësit thonë se veprat e zbuluara kanë status vetëm 6 muaj pasi konstatohen dhe më pas duhen bërë procedurat. Tashmë objekti i rrallë nuk ndodhet ne asnjë inventar, pasi IMK-ja nuk ka treguar interes. Shkaku duhet kërkuar te leja për të vazhduar ndërtimin e pallatit, ujërat e zeza të të cilit tashmë e rënojnë çdo ditë kryeveprën e painventarizuar të kulturës sonë kombëtare.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/