DURRËS, 19 gusht 2013 – Sikurse është bërë e ditur, më 17 gusht 2013, bashkia e Libohovës në qarkun e Gjirokastrës nderoi me titullin “Nderi i qytetit” Presidentin e Republikës, Bujar Nishani si “Personalitet i shquar libohovit”.

Por zoti Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1966 në qytetin e Durrësit me mbiemrin Mehmeti. Në Durrës i banojnë etërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, ku dhe i vëllai është prokuror. Shumë-shumë, këshilli bashkiak apo këshilli i qarkut të Durrësit duhet t’ia jepnin titullin “Nderi i qytetit / qarkut të Durrësit”. Bie në sy se komuna e Libohovës ka harruar që në motivacionin e titullit të përmendë kontributin e z. Bujar Mehmeti si kryetar i shoqatës së vullnetarëve të Enverit, pasi në familjen e tij në Durrës është edukuar me filozofinë marksiste-leniniste.Bashkia e Libohovës mund t’ia jepte titullin “Nderi i qytetit” një njeriu që ka lindur atje, por që banon në Durrës, konstruktorit të famshëm të anijeve Gani Ismailati, apo Mjeshtrit të merituar të sportit, notarit dhe trajnerit Agron Ismailati. Është e keqja se në fjalën e tij në Libohovë, durrsaku Bujar Mehmeti (Nishani) nuk i përmendi Ismailatët, jo vetëm zotërinjtë Gani dhe Agron, por as paraardhësit e tyre, që kanë nderuar Libohovën. Po ashtu z. President nuk përmendi as dhe një nga figurat qendrore të historisë së Shqipërisë, mësuesin, politikanin Avni Rustemi, me sa duket, për shkak se këshilltar politik ka nipin e ish-mbretit Ahmet Zogu.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/