19 gusht 2013-Zhvendosja e monumentit së Nënë Terezës në Klinë konsiderohet si veprim anti-qytetërues e antinjerëzor, që nxit konflikte, që përdhos tolerancën qytetare dhe si veprim anti-urbanistik e anti-institucional.
Bashkësia e degëve të Partisë Shqiptare Demokristiane e Kosovës në Klinë përmes një komunikate reagon ashpër ndaj një vendimi, siç e quajnë ata, jashtë- institucional të zhvendosjes së shtatores së Nënës Terezë nga sheshi në Klinë.
“Ky shesh, po ashtu, ka emrin e humanistes së madhe botërore "Nëna Terezë". Pushteti aktual komunal ka nisur një lojë të rrezikshme në prag të zgjedhjeve lokale, qoftë edhe me anë të lojës me përmendore e sheshe. Diheshin kërcënimet e para një dekade të individëve ekstremë se nuk qenka i lejueshëm ndërtimi i kësaj shtatoreje, që e përuroi presidenti historik Ibrahim Rugova dhe e financoi veprimtari nga diaspora, Elmi Berisha, i cili si donator,as që është lajmeruar për këtë zhvendosje”, thonë ata.Ata thonë se nëse mendohet që një prift paska bërë kërkesë për zhvendosje, le të dihet.
“Ajo nuk është kërkesë e qytetarëve dhe asnjë institucion fetar nuk ka monopol mbi interesin e kërkesat e qytetarëve. Dhe i lusim institucionet fetare, si përfaqësuesit e kishave katolike të komunës së Klinës, ashtu edhe krerët e xhamive të komunës së Klinës, që të mos përzihen në lojën e partive politike për sa i përket zgjedhjeve dhe votimeve, sepse këto ndërhyrje shkaktojnë konflikte, për të cilat nuk angazhohen institucionet fetare”, thuhet në reagimin e tyre.Sipas tyre, kjo është një fushatë e re kundër Nënës Terezë, ngase po shprehet edhe në Obiliq ku ekstremistët fetarë nuk duan ndërtimin e shtatores së Nënës Terezë dhe e konsiderojmë si veprimtari të koordinuar të sulmeve kundër saj.Ata bëjnë thirrje tek institucionet komunale dhe tek kreu i Kishës katolike "Zoja e Këshillit të Mirë", në Klinë që të mos luajnë me shtatoret, të mos luajnë me ndjesitë e qytetarëve, me tolerancën qytetare dhe rrënojnë tolerancën shqiptare ndërfetare
/express/





