DURRËS, 19 gusht 2013 – Edmond Kapllani ka qenë heroi i FSV Frankfurtit, teksa ka shënuar të tre golat e fitores 3-0 në transfertë kundërDynamo Dresden më 18 gusht 2013. 31-vjeçari Kapllani shënoi golin e parë në minutën e 44-t, teksa shtyu në rrjetë topin e ardhur nga e majta. Në pjesën e dytë, Kapllani goditi fort me kthesë, duke tundur rrjetën për të dytën herë, ndërkohë që edhe goli i tretë, i cili vulosi fitoren, ishte i ngjashëm me të parin nga fakti që sulmuesi shqiptar shtyu topin në rrjetën e boshatisur, pasi ai u kthye nga trau. Shtypi sportiv gjerman e ka vlerësuar lart sulmuesin në këtë takim (foto kryesore, Kapllani i intervistuar pas ndeshjes, fotot poshtë janë aspekte nga loja më 18 gusht 2013).
Info
Karrierën e tij futbollisti me shtatlartësi 1.84 m e ka nisur me Teutën e vendlindjes, ku ka luajtur në vitet 1990-1998. Për një vit ka luajtur në Kroaci me NK Orijent, ku në 7 ndeshje ka shënuar 3 gola. Në vitet 1999–2003 ka zhvilluar 33 ndeshje me fanellën e Partizani-t të Tiranës, ku ka shënuar 6 gola. Pastaj e mori Besa e Kavajës, ku më 2003–2004 është aktivizuar në 35 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola. Fill Kavajës nisi karriera gjermane: 2004–2009 Karlsruher SC, 118 ndeshje me 26 gola; 2009–2012 FC Augsburg 8 ndeshje e vetëm 1 gol; është dhënë në formë huazimi në vitin 2010 te TuS Koblenz me 17 ndeshje e 5 gola dhe 2010–2011 te SC Paderborn 07 me 23 ndeshje e 8 gola. Aktualisht, që nga viti 2012, luan me FSV Frankfurt, ku ka luajtur 30 ndeshje e ka shënuar 14 gola. Me ekipin përfaqësues shqiptar është aktivizuar qysh nga viti 2004, ku zhvilluar 37 ndeshje dhe ka shënuar 6 gola.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





