DURRËS, 18 gusht 2013 – Legata jugosllave në Tiranë ka kërkuar hapjen e një agjencie detare në Durrës (shih foton e vitit 1956), bënte të ditur Enver Hoxha, sipas një kabllogrami të 9 korrikut 1956 të ambasadorit sovjetik në Tiranë. Në përmbledhjen me dokumente të arkivave ruse, botuar në vitin 2003, është përshirë regjistrimi i një bisede sekrete, ku Enver Hoxha informon qeverinë sovjetike se legata jugosllave në Tiranë, ashtu si edhe më parë, vazhdonte të mbante lidhje me shtetas shqiptarë. Sikurse dihet në vitin 1950, kur ishte ende gjallë diktatori sovjetik J.V. Stalin (1878-1953), në vitin 1950 u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të cilat u rivendosën në mars 1954. PK e BS e kishte përjashtuar Jugosllavinë nga blloku socialist në vitin 1949. Sinjalin e parë se udhëheqja e re sovjetike pas vdekjes së Stalinit po e ndryshonte kursin e mëparshëm në drejtim të Beogradit, Enver Hoxha e mori që në qershor të vitit 1954. Në fakt pati një “behar” të vogël në raportet midis Tiranës dhe Beogradit. Por ato u acaruan së tepërmi pas konferencës së partisë së Tiranës (14-20 prill 1956) dhe Kongresit të 3-të të PPSH (25 maj – 3 qershor 1956). Pikërisht takimi i 9 korrikut 1956 të Enver Hoxhës me ambasadorin sovjetik Krilov, vjen pas këtyre dy ngjarjeve.

Dokumenti / Kabllogram i procesverbalit të bisedës së ambasadorit të BRSS në RPSH, L. I. Krillov, me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH Enver Hoxha, rreth raporteve shqiptare-jugosllave

9 korrik 1956. Sekret. Kopja nr. 1. Sekretari i Parë i KQ të PPSH, shoku Enver Hoxha më ftoi sot në shtëpi, dhe më bëri të ditur se kishte dëshirë të konsultohej me mua për ndërtimin e raporteve me Jugosllavinë. Enver Hoxha pohoi se problemi ka të bëjë me faktin se legata jugosllave në Tiranë, ashtu si edhe më parë, vazhdon të punojë kundër linjës që ndjekin KQ i PPSH dhe qeveria shqiptare. Nëpunësit e legatës jugosllave vijojnë të mbajnë lidhje të qëndrueshme me shtetas shqiptarë, në veçanti me gjithfarë elementësh pa karakter të fortë. Sa herë që u paraqitet rasti ata orvaten të mbjellin dyshime ndaj vijës sonë të drejtë dhe të fyejnë me të gjitha mjetet udhëheqjen, KQ-në dhe qeverinë e Shqipërisë, me pretekstin se gjoja [shqiptarët] nuk aspirojnë për një miqësi të vërtetë me Jugosllavinë. Po ashtu legata jugosllave biseda të tilla bën me të gjithë shtetasit shqiptarë, që aplikojnë për viza jugosllave. Janë vërejtur momente të shumta, kur nëpunës të legatës, pas akordimit të vizave u vinin në shtëpi këtyre shtetasve duke vijuar me punën e nisur agjenturore.

“PARTY”

Ditët e fundit legata jugosllave organizoi një mbrëmje, në të cilën merrnin pjesë shtetas shqiptarë me origjinë jugosllave, ku u ftuan edhe shqiptarë që i kanë gratë jugosllave. Mes të tjerëve ishte ftuar edhe gjenerali ynë Dino Marko [transliterim i gabuar, duhet të bëhet fjalë për Gjin Markun (1920-1986), i martuar në vitin 1944 me partizanen serbe-malazeze Natali Virioviç], që punon në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky [Gjin Marku] më vonë më tregoi se në këtë festë, përveç dollive që u ngritën për miqësinë, në biseda e sipër [jugosllavët] bënin fajtore palën shqiptare, e cila nuk donte forcimin e kësaj miqësie. Pjesa dërrmuese e shokëve shqiptarë, pohon Enver Hoxha, njoftojnë menjëherë institucionet shqiptare rreth atyre gjërave që u ishin thënë në biseda, duke hamendësuar me këtë rast se si mund të mbajnë një qëndrim të tillë shokët jugosllavë. Por ka njerëz që bien pre e këtyre bisedave dhe orvaten të gjejnë strehë në legatën jugosllave. Detyrohemi, deklaron Enver Hoxha, që këta persona t’i vëmë para përgjegjësisë, por me sa duket këtë gjë dëshirojnë ta bëjnë edhe nëpunësit e legatës jugosllave, duke synuar që më vonë t’i përdorin këto fakte kundër nesh.

TRANSITI

Legata jugosllave ka ngritur problemin e hapjes së një agjencie të tyre detare në Durrës, me sebepin se një pjesë e madhe e ngarkesave me mallra hungarezë, polakë e çekë mendohet se do të dërgohen tashmë në Durrës nëpërmjet portit jugosllav të Rjekës. Por edhe Bashkimi Sovjetik, Bullgaria, Rumania, që bëjnë tregti me Shqipërinë duke qarkulluar një volum të madh mallrash nëpërmjet Durrësit, nuk kanë agjenci në këtë qytet. Dihet, se kjo drejtohet kundër nesh, thotë Enver Hoxha. Po të mos jemi dakord, atëherë jugosllavët do të kenë edhe një motiv tjetër për të propaganduar kundër nesh. Po të mos jemi dakord, atëherë jugosllavët nuk do t’i lejojnë hungarezët, çekët dhe polakët të kalojnë transit nëpërmjet Rjekës, duke na fajësuar neve.

KOSOVA

Pak kohë më parë, në Kosovë e Metohi (krahinë në Jugosllavi), e banuar nga rreth 800 mijë shqiptarë, nisi procesi gjyqësor në shkallë të gjerë kundër një grupi shqiptarësh, që në vitin 1948 organizuan lëvizjen për bashkimin e kësaj krahine me Shqipërinë. Ne nuk kishim të bënim fare me këtë grup. Pse duhet të niste tani ky proces, pyet Enver Hoxha. Madje, në Kosovë e Metohi shkojnë me kohë të ndryshme qëndrimi shumë shtetas shqiptarë me lidhje farefisnore atje, që  përpunohen nga organet jugosllave. Kush kundërshton burgoset. Kjo është arsyeja, deklaron Enver Hoxha, pse ndërpremë dhënien e vizave për Kosovë e Metohi për shtetasit shqiptarë. Më parë legata jugosllave ngulte këmbë t’i lejonim emigrantët jugosllavë në Shqipëri të shkonin në atdhe. Ne u pajtuam me këtë. Afër 50 vetë donin të ktheheshin. Ndërkohë që kemi bërë shumë kërkesa, jugosllavët nuk pranojnë t’u japin viza kthimi në Jugosllavi këtyre emigrantëve. Të gjitha këto fakte, pohon Enver Hoxha, që na shqetësojnë së tepërmi, janë provat e politikës së ndyrë. Ne nuk mund t’i anashkalojmë.

KËRCËNIMI

Me tolerancë dhe vetëpërmbajtje mendojmë që së shpejti të ftojmë personalisht të dërguarin jugosllav Milatoviç në MPJ [Ministria e Punëve të Jashtme] dhe t’i deklarojmë se sjellja e nëpunësve të legatës jugosllave nuk kontribuon në forcimin e raporteve midis dy vendeve dhe këtë t’ia bëjë të ditur qeverisë jugosllave. Në qoftë se gjithë kjo sjellje nuk merr fund edhe pas bisedës me Milatoviçin, do të kërkojmë dëbimin nga Shqipëria të nëpunësve më të kompromentuar të legatës, Vuçiçin [Sava Vuçiç, sekretari i parë i legatës jugosllave në Tiranë, u shpall person i padëshirueshëm më 11 janar 1957; si kundërpeshë, më 18 janar 1957, Jugosllavia dëboi sekretarin e dytë të legatës shqiptare në Beograd, Myslim Sinojimeri] dhe Xhijën. Përsëri do të shtrojmë problemin e dhënies së vizave për 50 emigrantët, që duan të kthehen në Jugosllavi, por nëse nuk pranohet kjo gjë, do t’i hipim në makina dhe do t’i dërgojmë në kufirin jugosllav. Enver Hoxha më kërkoi që për këto çështje të konsultohesha me Moskën dhe ta vija në dijeni mbi pikëpamjen tonë për këto probleme. I premtova se do t’ia plotësoja menjëherë kërkesën. L. Krillov – ambasador i BRSS në Shqipëri. (Përkthimi, mestitujt dhe shënimet në kllapat katrore janë të autorit të shkrimit).

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/