TIRANE, 18 gusht 2013 – Denoncime të shumta për ndërtimet pa leje kanë ardhur nga qytetarët vetëm një ditë pas nismës së kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama. Ato nisin që me denoncimin e pallateve të Lulzim Bashës në Vlorë, deri tek ndërtimet pa leje që pushtuan Tiranën gjatë fushatë elektorale. Shefi i ardhshëm i ekzekutivit, Edi Rama, ka publikuar iniciativën e tij më të fundit. Bëhet fjalë për faqen StopRrënimit.com, ku çdo qytetar do të ketë mundësinë që të denoncojë çdo abuzim me bregdetin.
“StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet, po edhe në qytetin tuaj. Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit. Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri”, shkruan Rama në Facebook.
Kryeministri Rama ka paralajmëruar se do të shkatërrohen të gjitha ndërtimet pa leje që bien në kundërshtim me ligjin, qofshin këto edhe të pushtetarëve. Sa i përket pallatit të Bashës, burime pranë PS-së pohojnë se megjithëse pallati i Bashës ka një leje të miratuar nga Bashkia e Vlorës, janë duke u parë të gjitha procedurat e ndjekura, e nëse do të vërehen shkelje, apo mangësira, nuk do të ketë falje. Deri tani, ky ndërtim ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm të qytetarëve të Vlorës, që janë ankuar për të, pasi ka zënë një nga pjesët më të bukura të Vlorës, por edhe të politikës e të ambientalistëve, të cilët kanë protestuar disa herë. Megjithatë punimet kanë vazhduar, nën emrin e vjehrrit të Lulzim Bashës, por megjithatë nga ky pallat ende nuk ka asnjë banesë të shitur, diçka e çuditshme kjo në një vend aq të lakmuar.





