TIRANE, 17 gusht 2013 – Prenotohen 30 dhoma në një hotel pranë Ujit të Ftohtë.  Detajet e takimit ku shpallet programi i 300 ditëve.

Kryeministri i ri, takim me të gjithë ministrat më 21 gusht në qytetin e Pavarësisë.

Prenotohen 30 dhoma në një nga hotelet e njohura në Ujin e Ftohtë.

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, do të mbledhë të gjithë ministrat e qeverisë së tij në qytetin e Pavarësisë më 21 dhe 22 gusht. Kjo është hera e parë që Rama do të ketë përballë tij të gjithë ministrat që ai vetë emëroi më 31 korrik, por ende pa marrë zyrtarisht mandatin. Në këtë kuptim, mbledhja e parë e qeverisë në pritje do të ketë karakter simbolik sa i takon vendimmarrjes, por në të pritet që Rama të bëjë publik programin qeverisës të 300 ditëve të para. Jo rastësisht Rama ka zgjedhur qytetin e Vlorës për të zhvilluar takimin e parë të tij me kabinetin e ri në qytetin që solli pavarësinë dhe nisi historinë e shtetit të parë shqiptar 100 vjet më parë. Me këtë takim, jo vetëm simbolik, Rama do të përurojë qeverinë e “Rilindjes shqiptare”, atë që ai e ka cilësuar si programi i 100-vjetorit të dytë të historisë sonë. Gjithnjë duke bërë paralelizma me Rilindjen shqiptare, Rama është shprehur se fotografi zyrtare e zyrave të shtetit, përfshirë dhe atë të qeverisë, do të jetë Ismail Qemali, njeriu që formoi shtetin e parë shqiptar. Mësohet se një nga idetë e Ramës ishte që ky takim të zhvillohej në Shtëpinë muze të Pavarësisë, aty ku kishte nisur historia moderne shqiptare, por ambientet e saj të ngushta janë të pamjaftueshme për gjithë kabinetin e ri. Mbledhja pritet të zhvillohet në sallën e konferencave të një prej hoteleve në zonën e Skelës, ndërsa mësohet se për këtë ngjarje, në një nga hotelet e njohur pranë tunelit të Ujit të Ftohtë, janë prenotuar 30 dhoma. Nuk bëhen të ditura elemente të këtij takimi dyditor me ministrat e rinj të qeverisë që nis nga puna në muajin shtator, por në qendër do të jetë programi që grupi i punës që drejtohej nga Ilir Beqja nga PS dhe Edmond Haxhinasto nga LSI përgatitën për emergjencën e 300 ditëve të para, që nga vendosja e rendit publik dhe sigurisë së qytetarëve e deri te konsolidimi i financave publike. Një ditë pas bërjes publik të emrave të ministrave të kabinetit të ri qeveritar, Rama mblodhi disa nga ministrat socialistë, nga të cilët kërkoi që të njihen me dikasterin dhe që do të drejtojnë dhe problematikën që ai përmban dhe të mendojnë për stafet e tyre politike dhe profesionale. Që prej asaj dite vijoi një periudhë dyjavore pushimi, ndërsa data 20 gusht është vendosur që të jetë dita e nisjes nga puna, ku pritet që të ketë një tjetër takim me Kryeministrin e zgjedhur para mbledhjes së Vlorës. Rama ka premtuar se në krye të qeverisë do të zbatojë një kod etik të ministrave, i cili tashmë duket se është finalizuar dhe është bazuar në modelet më të mira të mirëqeverisjeve demokratike. Një tjetër temë që pritet të diskutohet gjatë mbledhjes do të jenë dhe punësimet në administratë, për të cilën Edi Rama ka këmbëngulur se rekrutimi i punonjësve në administratë të kryhet vetëm përmes konkurseve të forta.

QEVERIA E RE E SHQIPERISE 2013 – 2017
 

Kryeministër
Edi RAMA
Zv/Kryeministër
Niko PELESHI
1. Ministër i Financave
Shkëlqim CANI
2. Ministër i Brendshëm
Saimir TAHIRI
3. Ministre e Mbrojtjes
Mimi KODHELI
4. Ministër i Jashtëm
Ditmir BUSHATI
5. Ministre e Integrimit Europian
Klajda GJOSHA
6. Ministër i Drejtësisë
Nasip NAÇO
7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Arben AHMETAJ
8. Ministër i Energjisë  dhe Industrisë
Damian GJIKNURI
9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës
Edmond HAXHINASTO
10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit
Eglantina GJERMENI
11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave
Edmond PANARITI
12. Ministër i Shëndetësisë
Ilir BEQJA
13. Ministre e Arsimit dhe Sportit
Lindita NIKOLLA
14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Erion VELIAJ
15. Ministre e Kulturës
Mirela KUMBARO-FURXHIU
16. Ministër i Mjedisit
Lefter KOKA
17. Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ilirian CELIBASHI
18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike
Milena HARITO
19. Ministër për Çështjet Vendore
Bled ÇUÇI