17 gusht 2013 – Prezantuesja e dashur e ekranit shqiptar, Xhemi Shehu është duke kaluar disa ditë pushime në qytetin e Sarandës bashkë me familjen e saj. Ne kemi arritur ta shkëpusim Xhemin për pak minuta nga relaksi, për të mësuar më shumë mbi pushimet e saj. Ajo na tregoi se fakti që janë me pushime nuk ndikon në ndryshimin e orareve të tyre, sidomos të vogëlushit Martin.
“Martini ka oraret e veta të ushqimit dhe gjumit që zbatohen me përpikëmëri kudo që të jemi, prandaj përveç zhvendosjes, nuk ka asgjë ndryshe nga përditshmëria në Tiranë”, tregon Xhemi. Në foto ajo shfaqet teksa përpiqet t’i mësojë notin të voglit. Pushimet e familjes së tyre po kalojnë të qeta dhe sigurisht të përqendruara tek Martini. “Djali është shumë i vogël për të notuar, prandaj përdor braçiale. Po kalojmë pushime familjare të qeta, asgjë e jashtëzakonshme. Këtë vit do rrimë pesë ditë këtu në Sarandë”, rrëfen prezantuesja.
Edhe pse tashmë është bërë nënë, Xhemi shfaqet në formë të shkëlqyer si në ekran, ashtu edhe në jetën e përditshme. Është një nga ‘mamatë’ më të bukura të showbiz-it shqiptar, ndaj me kuriozitet e pyetëm nëse ajo i është nënshtruar ndonjë diete që trupi i saj nuk ndryshon kurrë. Ajo na zbuloi se nuk mban asnjë lloj diete. E lumtur, e bukur, e plotësuar, e kërkuar dhe e dashur nga publiku, pasi mësuam edhe këtë të fundit (domethënë që s’ka nevojë as për dietë), mund ta mbyllim këtë shkrim me shprehjen “Të jesh Xhemi është fat”.





