DURRËS, 17 gusht 2013 – As sot, askush nga Drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve nuk e ka vënë ujin në zjarr për të mbyllur të çarën e hapur prej muajsh në mbikalimin e Plepave, këtij kurthi ku kanë rënë me qindra udhëtarë, pushues shqiptarë e të huaj. 

E çara u mbulua pak javë më parë me një fletë të hollë llamarine. Por ky rezultoi të ishte veçse një kurth.

Sepse llamarina në pak ditë u zhduk dhe makinat vazhduan të binin në gropë përditë. 

Tashmë numri i automjeteve që bien viktima të kësaj të çare është shtuar, pas rritjes së numrit të pushuesve.

Ata që kanë rënë më parë në këtë të çarë dhe ata që kanë ndjekur kronikat tona televizive, me dhjetëra të tilla, janë në dijeni dhe e shmangin, por mjaft të tjerë bëhen viktima të radhës. 

Nga ana e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve, duket se askush nuk i dëgjon as kronikat televizive dhe as shqetësimet e përditshme të udhëtarëve.

Teksa në këtë drejtori nuk shqetësohet askush, as prokuroria nuk lëviz për të hetuar mbi këtë skandal që mund të bëhet shkak për të marrë jetë njerëzish. 

Duket se me ndërrimin e pushteteve këto institucione janë bërë më indiferente në zbatimin e detyrimeve ligjore.

Ndaj dhe ata mijëra qyetarë që rrezikojnë çdo ditë të bien në kurthin e mbikalimit të Plepave ndoshta do të duhet të presin qeverinë e re. 

Deri atëherë, s'na mbetet gjë tjetër vecse t'u rekomandojmë qytetarëve që përdorin këtë nyje lidhëse të veriut me jugun që të bëjnë kujdes. Kujdes, sepse këtu ka rrezik vdekjeje!