TIRANË,16 gusht 2013– Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ftuar sot qytetarët nëpërmjet faqes së tij në "Facebook” dhe Twitter” që të përdorin celularët e tyre në kuadër të fushatës kundër ndërtimeve pa leje. 

“Përdoreni celularin tuaj edhe si një armë të pazëvendësueshme kundër rrënimit! Rrënimin mund ta ndalim veç së bashku. Nga sot celulari yt mund të jetë edhe një armë e pazëvendësueshme për ta ndalur rrënimin! #‎StopRrenimit përmes këtij linku:www.stoprrenimit.com”, shkruan  Rama.
"StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet – po edhe në qytetin tuaj. Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit. 
Kjo betejë nuk është thjesht e qeverisë së re, po e gjithë shoqërisë dhe e çdo qytetari që jeton e punon për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Ky kancer agresiv rrezikon të shkatërrojë potencialin e madh të zhvillimit turistik të vendit dhe bashkë me të vetë të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj unë ju ftoj që këtë betejë fisnike ta bëjmë së bashku dhe ta fitojmë së bashku. Për dinjitetin tonë qytetar e shoqëror. Për interesin tonë kombëtar e publik.  Për Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër!", sqaron Rama.