DURRËS, 16 gusht 2013 – Autostrada e plazhit është e rrezikshme për këmbësorët, veçanërisht për fëmijët, kështu ndodhi dhe më 16 gusht në mesditë. Burime nga drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit bëjnë të ditur se në afrësi të shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” në lagjen nr. 13, ose Plazh, në autostradë, një motoçiklist, teksa ecte me shpejtësi të madhe, ka aksidentuar rëndë një fëmijë 7 vjeç i quajtur Emerdin Zaberxhan, nga Vushtria e Kosovës. Autori i fatkeqësisë rrugore është larguar nga vendi i krimit. Fëmija është gjetur në gjendje të rëndë nga një kalimtar i rastit, i cili është kujdesur të çojë vogëlushin me shpejtësi në spitalin rajonal të Durrësit, ku ai ka marrë ndihmën e parë mjeksore, por nuk ka mundur të mbijetojë edhe pas një ndërhyrjeje kirurgjikale. Policia njofton se po punohet për identifikimin e autorit të aksidentit dhe janë kryer veprimet e para hetimore, që po drejtohen nga prokuroria. Blutë e Durrësit njoftojnë se në rrugën dytësore në afërsi të “Hotel Canal Grande” në Plazh u gjet i braktisur mjeti i aksidentit, motocikletë e markës TMAX me targa DV89856 me fuqi mbi 6000cc. Policia e Durrësit po punon për identifikimin e autorit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





