DURRËS, 16 gusht 2013 – Kur nuk kontrollohen bombolat e gazit nga inspektorati përkatës dhe kur ato i përdorin të moshuar, është i pashmangshëm shpërthimi i tyre, sikurse ndodhi në qytetin e Durrësit në paraditen e 16 gushtit 2013, për fat të mirë, pa viktima. Zjarret nuk vijnë vetëm nga vapa, por edhe nga gabimet njerëzore, kështu ndodhi në katin e katërt të një godine afër drejtorisë së policisë së shtetit të qarkut të Durrësit. Ndoshta pasojat do të ishin katastrofike nëse nuk do të kishte ndërhyrë një punonjës policie, Aleks Kalemi, që ishte në shërbim në atë kohë. Mes tymit dhe panikut të banorëve të godinës, uniforma blu arriti të nxjerrë jashtë, duke i shpëtuar dhe nga asfiksimi, dy fëmijë të mitur, 4 dhe 7 vjeç. Fati ishte me fëmijët: afër policisë dhe afër spitalit rajonal, ku u dërguan me shpejtësi dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu punonjësit e ruajtjes së rendit ia dolën të nxjerrin jashtë dhe të dy të moshuarit, që kishin marrë lëndime të lehta. Po ashtu u vunë me shpejtësi nën kontroll edhe flakët nga zjarrfikësit. Banorët e tjerë të godinës janë evakuuar.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





