15 gusht 2013- Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit thotë se numri i të vrarëve në përleshjet e së mërkurës është rritur në mbi 500.
Dhuna ka shpërthyer pasi forcat e sigurisë kanë shpërndarë kampet e protestuesve në Kajro, të ngritura nga mbështetësit e presidentit të rrëzuar, Muhammad Morsi.
Aksioni kundër protestuesve ka shkaktuar përleshje në gjithë Egjiptin, ku edhe janë plagosur mbi 3,500 njerëz.
Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kërkuar sot takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Egjipt.
Erdogan ka thënë se “ata që qëndrojnë të qetë ndaj kësaj masakre, janë po aq fajtorë sa ata që e kanë kryer”.
Qeveria me rrënjë islamike e Erdoganit është kritike e hapur e ndërhyrjes ushtarake në Egjipt.
Ushtria ka rrëzuar në fillim të korrikut presidentin islamik të Egjiptit, Muhammaed Morsi, për shkak të pakënaqësive të popullsisë me politikat e tij.
Zyrtarët egjiptianë: Rivendoset qetësia në vend
KAJRO- Zyrtarët egjiptianë thonë se në vend është rivendosur qetësia. Ne fuqi vazhdon të jetë gjendja e jashtëzakonshme, e vendosur pasi policia përdori mjetet e blinduara dhe buldozerët për të shkatërruar dy kampe protestuesish në Kajro. Qeveria e përkohëshme thotë se 278 vetë, përfshirë 43 policë gjetën vdekjen dje.
Por një zëdhënës për Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon rikthimin në post të ish-presidentit Mohamed Morsi, thotë se 2600 vetë gjetën vdekjen kur policia qëlloi mbi turmën e demonstruesve me armë automatike.
Dëshmitarët dhe gazetarët njoftojnë se trupat e të vrarëve janë dërguar në mjedise të shndërruara në morg të përkohëshme dhe në spitale fushore. Islamistët organizuan protesta edhe në Aleksandri, Minia, Asiut dhe Suez ndërkohë që revoltimi po përhapet.
Qeveria ka paralajmëruar prej ditësh se do të ndërhynte kundër protestuesve, pjesa më e madhe e të cilëve mbështesin zotin Morsi.
Ministri i Brendshëm Mohamed Ibrahim thotë se policia përdori masa minimale force kundër kampeve të protestuesve, duke shfrytëzuar vetëm gazin lotësjellës. Ai fajëson Vëllazërinë Myslimane për atë që e cilësoi si status kaosi në të gjithë vendin. Ai akuzoi anëtarët e kësaj organizate se kishte qëlluar në drejtim të policisë, kishte sulmuar ndërtesat qeveritare dhe kishte djegur kisha.
/panorama/





