15 gusht 2013 – Lidhur me dhunën masive që ka përfshirë Egjiptin , Kryeministri në largim Sali Berisha bëri thirrje për një qëndrim të koordinuar ndërkombëtar , për t’i dhënë fund masakrës.“Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe masakrat e juntës ushtarake të Kajros ndaj popullsisë civile, qeveria shqiptare bën thirrje për një qëndrim ndërkombëtar të koordinuar, të vendosur për të ndalur dorën e masakrës ndaj qytetarëve nga ushtarakët puçist që po zhysin vendin në lufte civile dhe kaos dhe për të rivendosur dialogun midis forcave politike kryesore të vendit”, – thekson Kryeministri Berisha.Berisha ka dënuar ashpër masakrën e kryer nga junta ushtarake , e cila u instalua në Kajro pas rrezimit të Presidentit të zgjedhur me votën e lirë të popullit.Sipas Kryeministrit bashkëpunëtorët e afërt të Mubarakut, po rikthejnë me gjak regjimin e tyre barbar.“Junta ushtarake e Kajros kreu dy ditët e fundit një masakër të vërtetë ndaj protestueseve paqësor. Kjo masakër, në të cilën u ekzekutuan qindra, e ndofta mijëra protestues, dëshmon fytyrën e vërtetë të juntës puçiste që u instalua në Kajro pas përmbysjes së presidentit të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve egjiptianë”,- shprehet kryeministri Berisha.
Shqiptarët, vijon Berisha, që kanë tek egjiptianet një komb mik, ndjekin me dhimbje dhe të shokuar zhvillimet në këtë vend.





