DURRËS, 15 gusht 2013 – Shqipëria, vendi ku u shkatërrua Planeti “Zhukov”, kështu kreu i Kremlinit anulon një vizitë në Shqipëri në vitin 1957. Po botohen disa dokumente të panjohura të arkivave ruse që lidhen me Shqipërinë. Teksa katër herë Heroi i BS bisedonte me udhëheqjen e Tiranës për ndërtimin e bazës së Vlorës, në Moskë fillojnë aktivet e partisë për të dënuar të ashtuquajturin kult individi të ministrit sovjetik të mbrojtjes. Kur kthehet në atdhe, e sheh veten të shkarkuar dhe në vitin 1958 të përjashtuar nga ushtria. Presidenti i Federatës Ruse B. Jelcin në vitin 1994 dekreton krijimin e urdhrit të Zhukovit dhe medaljes së Zhukovit, duke nisur kështu rehabilitimin e plotë. Një vendim i vitit 1999 i Komisionit pranë Presidentit të Federatës Ruse “Mbi akuzat e paraqitura në vitin 1957 nga udhëheqja e partisë dhe e shtetit të BRSS kundër Mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov” i hap rrugën shklasifikimit të dokumenteve sekrete.   

FTESAT

Më 22 prill 1957 Ministri i Mbrojtjes Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë gjeneral-lejtenanti Beqir Balluku i ka dërguar personalisht Zhukovit një letër ku e ftonte të vizitonte Shqipërinë kur të shihej e përshtatshme. Në atë kohë raportet Hrushov-Zhukov ishin të shkëlqyera. Nga ana tjetër, siç duket, ka ndërhyrë vetë Hrushovi që Zhukovi të vizitonte edhe Jugosllavinë për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve pas keqësimit të tyre nga Stalini. Nëse në rastin e Shqipërisë kemi një ftesë me shkrim, ndryshe ndodh me Beogradin. Sekretari i Shtetit për punët e mbrojtjes popullore të RFP të Jugosllavisë, I. Goshnjak më 12 korrik, nëpërmjet zëvendëssekretarit të Shtetit për punët e jashtme të FRP të Jugosllavisë D. Vidiç, i ka transmetuar verbalisht ambasadorit të BRSS në Beograd Firjubin një ftesë zyrtare drejtuar Zhukovit për të vizituar Jugosllavinë në një kohë të përshtatshme për të. Disa ditë më parë Zhukovi ishte zgjedhur dhe në Presidiumin e KQ, pasi mareshali kishte kontribuar në goditjen e kundërshtarëve të Hrushovit për ta hequr nga posti i sekretarit të parë. Më 15 gusht 1957. Një vendim i  presidiumit të KQ PKBS mbi udhëtimin e G. K Zhukovit në Jugosllavi dhe Shqipëri, miratoi afatet e udhëtimit të Mareshalit Zhukov në Jugosllavi më 8-16 tetor dhe në Shqipëri më 17-25 tetor 1957. Në fakt, ftesa shqiptare i kishte pëlqyer strategut të Luftës II Botërore: “mendoj se vizita në Shqipëri do të jetë shumë e dobishme, sidomos për faktin se gjatë lundrimit do të na paraqitet mundësia për t’u njohur me pjesën më të rëndësishme për ne, atë të teatrit Jug-Perëndimor të veprimeve ushtarake: me drejtimin bullgar-turk, që do të jetë shtojcë e rekonjicionit, që i kam bërë këtij drejtimi në shtator të vitit 1956, me zonën ngushticës së Detit të Zi dhe me territorin, që shtrihet drejt deteve Egje, Mesdhe, Jon dhe Adriatik”.

ANULIMI MISTERIOZ

Udhëtimi i Zhukovit në Shqipëri “do të ishte e dëshirueshme të kombinohet me udhëtimin në Shqipëri të shokut N. S. Hrushov. Në këtë rast vizita ime në Shqipëri nga pikëpamja ushtarake do të jetë më pak e rëndësishme dhe do të kalojë pa rënë shumë në sy”, kështu shkruan në shkresën e vetë dërguar KQ të PKBS Zhukovi, më 27 prill 1957, pesë ditë pasi kishte njoftuar për ftesën e Ballukut. Ky fakt është i rëndësishëm dhe i panjohur. Nuk dihet pse është anuluar kjo vizitë e liderit të superfuqisë së kuqe në vendin e vogël ballkanik. Por ai erdhi në maj të vitit 1959 në Shqipëri. Kjo vizitë u vlerësua me rëndësi për Shqipërinë dhe në arenën ndërkombëtare. Në delegacion bënte pjesë ministri i Mbrojtjes, Rodion Malinovski, që kishte zëvendësuar rreth dy vjet më parë Zhukovin. Madje, pikërisht në këtë kohë erdhi këtu për vizitë edhe ministri i Mbrojtjes i RP të Kinës Pin De Huai. Ky i fundit, pas pak kohësh, u mënjanua nga posti i tij dhe nga të gjitha funksionet.  Hrushovin në Shqipëri erdhi duar plot: fali kreditë, që kapnin shumën prej 422 milionë rublash dhe u sjellë anëtarëve të Byrosë Politike nga një veturë prodhim sovjetik. Sipas Nexhmije Hoxhës, Liri Belishova, që drejtonte Komisionin e pritjes, ia shtroi Nikitës rrugën në aerodrom deri tek avioni jo me qilim të kuq, por me petale trëndafilash të kuq.

JO DEKORIMIT

Kulmi i arrogancës, hipokrizisë, por edhe konspiracionit dhe mashtrimit është një urdhër për të mos dekoruar Zhukovin. Më 9 tetor 1957, kur ministri sovjetik i mbrojtjes ndodhej në Jugosllavi, ambasadori i BRSS në Shqipëri, V. I. Ivanov ka dërguar në Moskë një telegram. Në të flitej për qëllimin e qeverisë shqiptare, e cila për të forcuar miqësinë shqiptaro-sovjetike dhe me pëlqimin e palës sovjetike kishte ndërmend të dekoronte G. K. Zhukovin dhe personat që e shoqëronin. Më13 tetor, zëvendësministri i punëve të jashtme të BRSS N. S. Patoliçev nisi një telegram në Tiranë, në të cilin udhëzohej “se Moska nuk e konsideron të këshillueshëm akordimin e dekoratave për grupin e shokut Zhukov”, për të mos krijuar precedent për vendet e tjera të demokracisë popullore. Ambasadorit sovjetik iu dha porosi për t’u komunikuar shqiptarëve se nuk supozohet dekorimi i delegacionit sovjetik me urdhra jugosllavë. Por kjo nuk ishte vërtetë. Jugosllavia e kishte dekoruar një vit më parë me urdhrin e Lirisë, kurse vendet socialiste, me përjashtim të Hungarisë, Gjermanisë Lindore dhe Koresë së Veriut i kishin akorduar urdhra e medalje. Është dekoruar nga Mongolia (9 herë, madje dhe me titullin e Heroit), Polonia (5 herë), ish-Çekosllovakia (3 herë), Bullgaria (2 herë), Kina. Jo vetëm kaq, Zhukovi, si figura më popullore në Perëndim dhe Lindje, është dekoruar nga SHBA, Britania e Madh, Franca, Italia, Egjipti me urdhra të lartë si Kryqi Ushtarak, Kryqi i Madh i Kalorësit, Mburoja e Montgomerit, Legjioni i Meritës, Kryqi i Madh i Legjionit të Nderit.

KRYQËZORI

Shkarkimi i Zhukovit nga posti i ministrit të mbrojtjes u realizua sipas të gjitha ligjeve të intrigës së aparateve partiake. Më 3 tetor të vitit 1957 Georgi Konstantinoviçi u nis për vizitë zyrtare në Jugosllavi dhe Shqipëri. Më 3 tetor të vitit 1957 Georgi Konstantinoviçi u nis për vizitë zyrtare në Jugosllavi dhe Shqipëri me kryqëzorin “Kujbishev”, i cili u përshëndet gjatë lundrimit nga luftanijet e flotës së Gjashtë amerikane. Synohej që mareshali të qëndronte sa më gjatë dhe sa më larg nga Moska. Sapo Zhukovi zbarkoi në Jugosllavi, kryqëzori u thirr në Sevastopol, ndonëse Georgi Konstantinoviçi mendonte se “Kujbishev-i” kishte shkuar në Split, ku duhej ta merrte në bord përsëri ministrin e mbrojtjes për të shkuar në Shqipëri. Aksioni u planifikua të realizohej me anë të një komploti të fshehtë, duke e privuar mareshalin, i cili në këtë kohë ndodhej për vizitë zyrtare në Jugosllavi dhe Shqipëri, nga informacionet për fushatën e nisur nga presidiumi i komitetit qendror të partisë komuniste të Bashkimit Sovjetik (KQ PKBS). U morën masat që ministri i mbrojtjes të mos ishte në dijeni të njoftimeve për aktivet e partisë, përmbajtjen dhe natyrën e debateve në këto aktive.

Info / STRATEGU

Shumë njerëz e konsiderojnë Georgij Konstantinoviç Zhukovin (1896 – 1974) strategun më të njohur të Luftës së Madhe Patriotike, me emrin e të cilit është i lidhur fitoret më mëdha në luftë. Është gjenerali më i dekoruar në historinë e Rusisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik (katër herë Hero i Bashkimit Sovjetik, 13 medalje, 16 urdhra). Pas vdekjes së Stalinit, në vitin 1953 – zëvendësministër i parë, dhe më 1955-1957 – ministri i mbrojtjes i BRSS. Në tetor të vitit 1957 u përjashtua nga presidiumi i komitetit qendror të partisë, ku ishte zgjedhur dy muaj më parë, u shkarkua nga të gjitha postet në ushtri dhe në 1958 u përjashtua nga ushtria. Pas një izolimi të zgjatur, në vitin 1964, me ardhjen në pushtet të L. I. Brezhnjevit, përndjekja e Zhukovit u hoq pjesërisht. Në vitin 1965, filloi të shkruajë veprën “Kujtime dhe refleksione”, puna mbi të cilën u komplikua nga ndërhyrja e organeve të larta të partisë në redaktimin e përmbajtjes. Në vitin 1967 pësoi një insult të rëndë, por u ngrit në këmbët. Në mars të vitit 1969, u botua libri, që u përkthye në 18 gjuhë me  tirazhe prej miliona kopje. Në gjuhën shqipe është përkthyer me nivel shumë të lartë nga dy ish-të burgosur politikë, Gjergj Titani dhe Robert Vullkani.

Dokumente

Dokumenti nr. 1 SHKRESË E G. K. ZHUKOVIT NË KQ PKBS MBI FTESËN PËR TË VIZITUAR SHQIPËRINË. Më 22 prill 1957. Sekret .
Ministri i Mbrojtjes Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë gjeneral-lejtenanti Beqir Balluku ka dërguar në emrin tim një letër në të cilën me porosi të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë më ka ftuar të vizitoj Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për mua.  Në një bisedë personale me këshilltarin e ambasadës së BRSS në Shqipëri sh. Hoshev. (telegram special nr. 154) sh. Beqir Balluku ka theksuar se ata presin ardhjen time, i shoqëruar nga një skuadrilje luftarake në periudhën pranverë-verë të këtij viti.  Nga ana ime mendoj se vizita në Shqipëri do të jetë shumë e dobishme, sidomos për faktin se gjatë lundrimit do të na paraqitet mundësia për t’u njohur me pjesën më të rëndësishme për ne, atë të teatrit Jug-Perëndimor të veprimeve ushtarake: me drejtimin bullgar-turk, që do të jetë shtojcë e rekonjicionit, që i kam bërë këtij drejtimi në shtator të vitit 1956, me zonën ngushticës së Detit të Zi dhe me territorin, që shtrihet drejt deteve Egje, Mesdhe, Jon dhe Adriatik.  Nëse KQ PKBS e konsideron të nevojshme të ndërmerret ky veprim, lutem të jepet pëlqimi dhe të caktohet koha e vizitës, gjë pas së cilës do t’i jap përgjigje sh. Beqir Balluku. *Shkresa e G. K. Zhukovit u shqyrtua në mbledhjen e Presidiumit të KQ PKBS të 25 prillit të vitit 1957 [Ky shënim dhe të tjerat me yllth në fund të dokumenteve janë të origjinalit]

Dokumenti nr. 2 SHKRESË E G. K. ZHUKOVIT NË KQ PKBS MBI UDHËTIMIN E PLANIFIKUAR NË SHQIPËRI. Më 27 prill 1957. Sekret 

Me porosi të Presidiumit të KQ PKBS të 25 prillit të këtij viti po paraqes propozimet, që kanë të bëjnë me vizitën time në Shqipëri: 1. Kjo vizitë të zhvillohet në muajt shtator-tetor të këtij viti. 2. Do të ishte e dëshirueshme që ky udhëtim të kombinohet me udhëtimin në Shqipëri të shokut N. S. Hrushov. Në këtë rast vizita ime në Shqipëri nga pikëpamja ushtarake do të jetë më pak e rëndësishme dhe do të kalojë pa rënë shumë në sy. 3. Po paraqes projekt-Vendimin e KQ PKBS, lutem për miratim. G. Zhukov.

Dokumenti nr. 3 SHKRESË E  N. S. PATOLIÇEVIT DREJTUAR KQ PKBS MBI FTESËN QË KA MARRË G. K. ZHUKOVI PËR TË VIZITUAR JUGOSLLAVINËMë 22 korrik 1957Sekret

Sekretari i Shtetit për punët e mbrojtjes popullore të RFP të Jugosllavisë gjeneral armate I. Goshnjak më 12 korrik të këtij viti, nëpërmjet zëvendëssekretarit të Shtetit për punët e jashtme të FRP të Jugosllavisë D. Vidiç, i ka transmetuar verbalisht ambasadorit të BRSS në Beograd sh. Firjubin (telegram nr. 573) një ftesë zyrtare drejtuar Ministrit të mbrojtjes të BRSS Mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov për të vizituar FRP të Jugosllavisë në një kohë të përshtatshme për të. MPJ e BRSS e quan të arsyeshme të informojë sekretarin e Shtetit për punët e mbrojtjes popullore të RFP të Jugosllavisë gjeneral armate I. Goshnjak nëpërmjet ambasadorit të BRSS në Beograd sh. Firjubin, se Ministri i mbrojtjes i BRSS Mareshali i Bashkimit Sovjetik G.K. Zhukov e pranon ftesën e tij. Për kohën e vizitës së sh. G.K. Zhukov në RFP të Jugosllavisë mund të bihet dakord me jugosllavët më vonë. Bashkëngjitet Projekt-vendimi. Lutem të merret në shqyrtim. N. PATOLIÇEV

Dokumenti nr. 4 SHKRESË E G. K. ZHUKOVIT NË KQ PKBS MBI MASAT E MARRA, LIDHUR ME UDHËTIMIN NË JUGOSLLAVI DHE SHQIPËRI Më 7 gusht 1957. Në përputhje me porosinë e KQ PKBS të 3 gushtit të këtij viti* po paraqes projekt-vendimin e KQ PKBS për masat në lidhje me udhëtimin tim në Jugosllavi dhe Shqipëri.  Lutem të miratohet.Zhukov  *Përgatitja e vizitës së G. K. Zhukovit në Jugosllavi dhe Shqipëri u diskutua në një mbledhje të Presidiumit të KQ PKBS të 3 gushtit të vitit 1957. Përveç Zhukovit, për këtë problem folën N.S. Hrushovi dhe A. Mikojani. U vendos të ngarkohej Zhukovi për të përgatitur propozimet për organizimin e vizitës.

Dokumenti nr. 5. VENDIM I  PRESIDIUMIT TË KQ PKBS MBI UDHËTIMIN E G. K ZHUKOVIT NË JUGOSLLAVI DHE SHQIPËRI. Më 15 gusht 1957. Tepër sekret. Nr. 107/XI i prot. Mbi masat në lidhje me udhëtimin sh. Zhukov në Jugosllavi dhe Shqipëri (shokët Hrushov, Mikojan, Zhukov). 1. Të miratojë afatet e udhëtimit të Mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov në Jugosllavi më 8-16 tetor dhe në Shqipëri më 17-25 tetor 1957. Të ngarkojë MPJ të BRSS (sh. Gromiko) të bien dakord me Qeveritë e RFPJ -së dhe RPSH-së mbi afatet e udhëtimit të Mareshalit G. K. Zhukov në përputhje me këtë vendim. 2. Të ngarkojë MPJ të BRSS (sh. Gromiko) së bashku me Ministrinë e mbrojtjes (sh. Zhukov) të bien dakord me Qeveritë e Jugosllavisë dhe Shqipërisë mbi programin e qëndrimit të sh. Zhukov në këto vende. 3. Të përfshijë në numrin e atyre që shoqërojnë Mareshalin e Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov personat e mëposhtëm:  1) Komandantin e trupave të qarkut ushtarak të Odesës gjeneral-kolonelin A. I. Raxijevskij; 2) Zëvendëskomandantin e i Flotës së Detit të Zi, nën-admiralin S. E. Çursin; 3) Zëvendësshefin e Drejtorisë së Përgjithshme Politike gjeneral-lejtenantin F.P. Stepçenko; 4) Një gjeneral me porosi pranë Ministrit të Mbrojtjes të BRSS. 4. Të ngarkojë TASS-in (sh. Palgunov) së bashku me sektorin e shtypit të MPJ të BRSS të sigurojnë mbulimin në shtypin sovjetik të udhëtimit të Mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov në Jugosllavi dhe Shqipëri. 5. Të gjitha shpenzimet, që lidhen me udhëtimin e Mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov dhe personave që e shoqërojnë, të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave të BRSS. 6. Të ngarkojë Ministrinë e financave të BRSS (sh. Zverev) të caktojë fondin e nevojshëm në valutë për mbulimin e shpenzimeve, që lidhen me udhëtimin e Mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov dhe personave që e shoqërojnë në Jugosllavi dhe Shqipëri. Sekretari i KQ PKBS

Dokumenti nr. 6. NJOFTIM I GAZETËS “PRAVDA” PËR NISJEN E G. K.ZHUKOVIT NË JUGOSLLAVI. 5 tetor 1957. Niset për Jugosllavi Ministri i mbrojtjes i BRSS Mareshal i Bashkimit Sovjetik G.K. Zhukov. Më 4 tetor nga Moska në Krime u nis me avion Ministri i mbrojtjes i BRSS Mareshal i Bashkimit Sovjetik G.K. Zhukov. Ai shkon për një vizitë në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë në përgjigje të ftesës, të cilën në emër të qeverisë jugosllave ia bëri gjeneral armate I. Goshnjak gjatë vizitës në Bashkimin Sovjetik verën e këtij viti. Në aeroportin qendror Mareshalin G. K. Zhukov e përcollën Mareshali i Bashkimit Sovjetik I. S. Konjev, zëvendësministrat e punëve të jashtme të BRSS, N. S. Patoliçev dhe N. P. Firjubin, admirali S. G. Gorshkov, mareshali i aviacionit S. I. Rudenko, gjeneralët e armatave M. S. Malinin  dhe G. K. Malandin, gjeneralë-kolonelët A. V. Gerasimov, A. A. Grizllov, N. I. Gusev, A. S. Zhelltov, S. U. Rubanov, E. G. Trocenko, M. A. Shalin, komandanti i qytetit të Moskës, gjeneral majori I. S. Kolesnikov, gjeneralë dhe oficerë të tjerë të Ushtrisë Sovjetike, i ngarkuari me detyrën e shefit të marrëdhënieve me jashtë i Ministrisë së mbrojtjes së BRSS koloneli D. F. Çikin, zëvendësdrejtorë sektorësh të MPJ të BRSS P. S. Dedushkin dhe K. A. Koçetkov, përfaqësues të shtypit. Midis atyre që e përcollën ishin personeli diplomatik i ambasadës së Jugosllavisë në BRSS, ambasadori i Republikës Popullore të Shqipërisë në BRSS Mihal Prifti, atasheu ushtarak i Shqipërisë kolonel H. Aranitasi. Të pranishmit në aeroporti u ndanë ngrohtësisht me Mareshalin G. K. Zhukov, avioni i të cilit në orën tetë të mëngjesit u ngrit në ajër. Ne bordin e avionit me ftesë të Mareshalit G. K. Zhukov ndodhet atasheu ushtarak i Jugosllavisë në Bashkimin Sovjetik koloneli Sava Popoviç. SEVASTOPOL. 4 tetor. (TASS). Sot në mesditë me një avion nga Moska në Sevastopol sovjetike mbërriti Ministri i mbrojtjes i BRSS Mareshal i Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov, që po drejtohet për një vizitë në RFPJ. Në orën 15 e 25 minuta Mareshali G. K. Zhukov ngjitet në një kater në molin Grafskaja dhe anashkalon destrojerët, që po qëndronin në gjirin Jugor. Ministri i mbrojtjes i BRSS përshëndetet me personelin e destrojerëve dhe i uron detarët për lundrimin në Jugosllavinë mike. Mbi gji ushton “ura!-ja” polifonike e detarëve. Kateri shkon drejt bordit të kryqëzorit “Kujbishev”, mbi kuvertën e të cilit ishte rreshtuar ekuipazhi i anijes. Nëpërmjet skelës së komandimit Mareshali G. K. Zhukov ngjitet në anije. Kumbon komanda e oficerit të shërbimit “Gatitu!”. Në maj të direkut kryesor valëvitet flamuri i Ministrit të mbrojtjes të BRSS. Komandanti i skuadronit kundër-admirali A. N. Tjunjajev raporton për gatishmërinë e anijeve për lundrim. Raporton komandanti i anijes kapiten i rangut të parë V. Mihajlin. Shoku G. K. Zhukov kalon në revistë rojën e nderit. Orkestra e anijes ekzekuton Himnin e Bashkimit Sovjetik. Pastaj Ministri i mbrojtjes së BRSS drejtohet tek ekuipazhi. Në përgjigje të përshëndetjes ushton fort “Shëndet paçi, shoku Mareshal i Bashkimit Sovjetik”. Ministrin e mbrojtjes të BRSS Mareshalin Zhukov dhe personat që e shoqëronin e përcollën: zëvendëskryekomandanti i Flotës Luftarake-Detare admirali A. G. Gollovko, komandanti i Flotës së detit të Zi, admirali V.A. Kasatonov, sekretar i parë i Komitetit Rajonal të Krimesë të PK të Ukrainës V. G. Komjahov, kryetari i komitetit ekzekutiv të Këshillit rajonal të deputetëve të punonjësve të Krimesë I. M. Filipov etj. Anijet ngrenë spirancën dhe dalin nga gjiri i Sevastopolit. Në anijet që qëndrojnë përballë në gji, dhe në postet bregdetare ngrihen famujt që japin sinjalin: “Lundrim të mbarë”. Sinjalizuesit e kryqëzorit “Kujbishev” ngrenë në përgjigje sinjalin: “Ju faleminderit për urimin”. Banorë të shumtë të qytetit-hero erdhën në bulevardin Primorskij për të përcjellë shokun G. K. Zhukov në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë.  (TASS). “Pravda”, 1957, 5 tetor.

Dokumenti nr. 7. SHKRESË E N. S. PATOLIÇEVIT NË KQ PKBS MBI UDHËZIMET PËR AMBASADORIN E BRSS NË SHQIPËRI LIDHUR ME VIZITËN E G. K. ZHUKOVIT. Më 9 tetor 1957. Sekret. Ambasadori sovjetik në Shqipëri njoftoi se lidhur me vizitën e ardhshme në Shqipëri të Mareshalit G. K. Zhukov miqtë shqiptarë janë të interesuar se kur është e përshtatshme të botohet njëkohësisht në shtypin shqiptar dhe sovjetik njoftimi për këtë vizitës (telegram nga Tirana me nr. 493, 7 tetor*). Lidhur me këtë, MPJ e BRSS paraqet projekt-tekstin e udhëzimeve përkatëse për ambasadën e BRSS në Tiranë. Bashkëngjitur projekt-vendimi.  N. Patolichev.* Njëkohësisht me këtë telegram ambasadori i BRSS në Shqipëri, V. I. Ivanov ka dërguar në Moskë dhe një tjetër telegram. Në të flitej për qëllimin e qeverisë shqiptare, e cila për të forcuar miqësinë shqiptaro-sovjetike dhe me pëlqimin e palës sovjetike kishte ndërmend të dekoronte G. K. Zhukovin dhe personat që e shoqëronin: gjeneral-kolonelin A. I. Raxijevskij, nënadmiralin S. E. Çursin, gjeneral-lejtnantin F. P.  Stepçenko dhe gjeneral-lejtenantin L. M. Kitajev. Në telegram ka një shënim për t’ua dërguar: “Zhukovit, Susllovit, Patoliçevit, Podcerobit, Andropovit”.  Më 9 tetor 1957 në KQ PKBS erdhi një shkresë e zëvendësministrit të punëve të jashtme të BRSS N. S. Patoliçev mbi këtë propozim të qeverisë shqiptare. Të nesërmen iu dërgua anëtarëve të Presidiumit të KQ për votim. Më13 tetor, në përputhje me vendimin e Presidiumit të datës 11 tetor, Patoliçevi nisi një telegram në Tiranë, në të cilin udhëzohej “se Moska nuk e konsideron të këshillueshëm akordimin e dekoratave për grupin e shokut Zhukov”, për të mos krijuar precedent për vendet e tjera të demokracisë popullore. Ambasadorit sovjetik iu dha porosi në formë të kujdesshme për t’u komunikuar miqve shqiptarë se nuk supozohet dekorimi i delegacionit sovjetik me urdhra jugosllavë, dhe t’i falënderonte për vëmendjen e treguar ndaj Zhukovit dhe personave që e shoqëronin.

Dokumenti nr. 8. VENDIM I PRESIDIUMIT TË KQ PKBS MBI KARAKTERIN E PAPËRSHTASHËM  TË DEKORIMIT TË ANËTARËVE TË DELEGACIONIT SOVJETIK ME URDHRA SHQIPTARË. Më 11 tetor 1957. Nr. 116/LXVII i prot. Mbi dekorimin me urdhra shqiptarë të grupit të ushtarakëve sovjetikë (shokët Mikojan, Hrushov, Bulganin).  Të konsiderohet i papërshtatshëm dekorimi me urdhra shqiptarë i grupit të ushtarakëve sovjetikë. Të ngarkohet MPJ e BRSS për t’i dërguar ambasadorit të BRSS në Shqipër një përgjigje në frymën e shkëmbimit të mendimeve në mbledhjen e Presidiumit të KQ. Sekretari i KQ PKBS N. HRUSHOV

Dokumenti nr. 9. VENDIM I PRESIDIUMIT TË KQ PKBS “PROJEKT-UDHËZIME PËR AMBASADORIN E BRSS NË SHQIPËRI LIDHUR ME VIZITËN E ARDHSHME TË SH. ZHUKOV NË SHQIPËRI”. Nr. 117/3 i prot. Më 12 tetor 1957. Tepër sekret. Të miratojë projekt-udhëzimet për ambasadorin e BRSS në Shqipëri (bashkëngjitur). Sekretari i KQ. [Aneks]. Për pikën 3 nr. 117 prot. Sekret. TIRANË.  AMBASADORIT SOVJETIK. U bëni një vizitë miqve shqiptarë dhe u thoni se lidhur me vizitën e ardhshme të Ministrit të mbrojtjes të BRSS G. K. Zhukov në Shqipëri, menduam se do të ishte e përshtatshme të botohej njëkohësisht në Tiranë dhe Moskë më 13 tetor të këtij viti njoftimi me këtë përmbajtje: “Rreth vizitës së ardhshme në RP të Shqipërisë të Ministrit të mbrojtjes të BRSS, Mareshalit të Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov. Me ftesë të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë më 17 tetor 1957 në Shqipëri do të mbërrijë Ministri i mbrojtjes i BRSS, Mareshali i Bashkimit Sovjetik G. K. Zhukov. Mareshalin G. K. Zhukov gjatë vizitës së tij do ta shoqërojnë disa gjeneralë, admiralë dhe oficerë të lartë të Ushtrisë dhe Flotës Luftarake-Detare Sovjetike”. Dërgoni telegram për pëlqimin e palës shqiptare.

Shënim: Përkthimi i dokumenteve dhe sqarimet në kllapa katrore janë të autorit të speciales.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/