VLORË, 15 gusht 2013 -Një person është vrarë me armë zjarri kurse një tjetër ka mbetur i plagosur sot në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ka ndodhur në një stan në Karaburun ku i vdekur ka mbetur shtetasi Shedat Angjeli, 62 vjeç kurse i plagosur, baxhanaku i tij, Bexhet Bodoj, 59 vjeç.
Dyshohet si autor një bari nga Elbasani, ndërsa si shkak mësohet se ka qenë një grindje për shkak të pagesës.
Nga hetimet paraprake theksohet se ka pasur një grindje mes bariut të gjedhëve dhe punëdhënesve të tij për shkak të pagesës dhe se ky i fundit ka marrë armën, nje çifte me të cilën ruante stanin dhe ka qëlluar në drejtim të Shedat Vangjelit dhe baxhanakut të këtij të fundit. Duke kujtuar se i ka vrarë të dy, bariu ka marrë arratinë në kodrat e Karaburunit. Ndërkaq Bexhet Bodoj që kishte mbetur i plagosur ka mundur të zbresë nga stani drejt zonës së banuar dhe të lajmërojë rreth krimit.
Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policie që po hetojnë rreth ngjarjes.
Autori me crregullime
Policia duke konfirmuar zyrtarisht bën të ditur gjeneralitete e autorit dhe thekson se ky shtetas vuan nga çrregullime mendore.
“Në daten 14.08.2013 rreth orës 22.00 në gadishullin e Karaburunit Vlorë është vrarë me armë gjahu shtetasi Shedat Vangjeli, 62 vjeç, banor i fshatit Dukat Vlore si dhe është plagosur lehtë shtetasi Bexhet Bodaj, 59 vjeç, të cilët ishin barinj në këtë zonë. Nga hetimet e deri tanishme ka rezultuar se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Xhezar Hysa, vjec 45, banore i fshatit Mollas të rrethit Elbasan, i punësuar si bari tek viktima i cili sipas të dhënave të deritanishme vuan nga çrregullime mendore”, thekson njoftimi për shtyp i policisë së Vlorës.
Efektivët po krehin zonën për kapjen e tij.
/balkanweb/





