14 gusht 2013- Prokuroria: Lorena Ismailaj i merrte para borxh të huajit prej dy muajsh.

“Grabita zviceranin që t’i ktheja borxhin 6 mijë euro”
“I mora 6 mijë euro borxh rreth dy muaj më parë dhe nuk kisha mundësia t’ia ktheja, ndaj sajova grabitjen”.  Kështu është shprehur para hetuesve të Policisë së Tiranës studentja e Shkencave Politike, e cila u arrestua tri ditë më parë me akuzën se ka organizuar grabitjen me armë të një 47-vjeçari nga Zvicra që jetonte prej muajsh në Shqipëri. Lorena Ismailaj, 21 vjeçe, lindur në Urën Vajgurore dhe banuese në Tiranë, u arrestua dy ditë më parë bashkë me të fejuarin e saj, Florenc Marashi, 19 vjeç, si dhe tre të afërm të këtij të fundit. Pas arrestimit, studentja e Shkencave Politike ka dëshmuar në lidhje me ngjarjen, duke pranuar krimin. Vajza 21 vjeçe ka pohuar se ishte ajo organizatorja e grabitjes së shtetasit zviceran dhe qëllimi i saj ka qenë që të mos zbulohej. “E planifikova ngjarjen me të fejuarin tim dhe futëm disa persona të tjerë, pasi nuk doja të zbulohesha. Qëllimi im ka qenë që t’i grabisnim një shumë parash Andrea Pietro Grassellit dhe unë t’i ktheja borxhin me paratë që do t’i merrnim”, mësohet të ketë thënë vajza në polici. Ajo ka pohuar se dy nga djemtë që kryen grabitjen e zviceranit në hyrje të pallatit ku ai banonte në rrugën “Faik Konica” në Tiranë, kishin gabuar pasi kishin përmendur emrin e vajzës, të cilën shtetasi i huaj e njihte. E arrestuara ka pranuar se prej muajsh ka pasur një marrëdhënie të afërt me 47-vjeçarin nga Zvicra, që kishte ardhur në Tiranë dhe frekuentonte programet mësimore të gjuhës shqipe.   

/panorama/