Transportuesit shqiptarë: Të ndalohen targat maqedonase, ose do ta bëjmë si turqit që u djegin makinat

DURRËS, 14 gusht 2013  Ka një ngazëllim në Shkup për hapjen e konsullatës së nderit në Durrës. Por nga ana tjetër, kjo nuk është pritur mirë nga qarqet e biznesit të transportit: “të ndalohen targat maqedonase, ose do ta bëjmë si turqit që u djegin makinat”.Konsullata e re e Maqedonisë në Durrës pritet t’i shërbejë një numri në rritje turistësh maqedonas si dhe një interesi në rritje biznesi në bregdetin shqiptar, shkruan më 13 gusht 2013 në portalin në 10 gjuhë Southeast European Times gazetari nga Shkupi Miki Trajkovski. Këtë vit, pothuajse 30 000 maqedonas pushuan në Shqipëri. “Durrësi është me interes të madh për turistët maqedonas përveç Vlorës e Sarandës, për shkak të çmimeve të ulëta e afërsisë së detit [Adriatik]”, tha Petko Kutanoski, pronari iBalkan Tours, një agjenci udhëtimi me zyra në Strugë. Kutanoski tha për se turistët maqedonas janë trajtuar shumë mirë e nuk kanë hasur ndonjë problem. “Por konsullata mund të kontribuojë për një ndjenjë edhe më të madhe sigurie. Shumë [maqedonas] nuk kanë pasur ndonjë shans të vizitojnë e është mirë të kenë një institucion ku të drejtohen në rast nevoje”, shtoi Kutanoski, i cituar nga Southeast European Times.

Investitorët

Kutanoski tha se numri i investitorëve maqedonas në Shqipëri po rritet në mënyrë të qëndrueshme pasi nisin të investojnë në prona banimi e tregtare, hotele e biznese restorantesh, dyqane e biznese të tjera në Durrës si dhe në zonat turistike përreth.

“Kjo është se pse hapja e një konsullate për të ofruar mbështetje ligjore është një gjë shumë e mirë”, tha ai. “Konsullata do të ndihmojë të mbrohen ndërmarrjet tona që investojnë atje në rast nevoje apo nëse dëmtohen në ndonjë mënyrë. Ajo do të nxisë gjithashtu mundësinë ekonomike e turistike të Maqedonisë tek tregtarët shqiptarë” tha Mendres Kuçi, president i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. “Kjo është një shenjë e mirë që marrëdhëniet politike Shkup-Tiranë po përmirësohen. Eshtë kurdoherë më mirë të bësh diçka sesa asgjë lidhur me këtë”, shtoi Kuçi për portalin në 10 gjuhë.

Maqedonasit e Durrësit

Nga konsullata do të përfitojnë gjithashtu maqedonas etnikë që jetojnë në Shqipëri, veçanërisht rreth zonës së madhe të Durrësit, sipas Nikolla Gjurgjajt, president i shoqatës maqedonase Ilinden në Tiranë. “Nuk duhet të udhëtojnë më për në Tiranë, pasi mund të marrin të gjithë informacionin në konsullatë. Kjo do të ndikojë pozitivisht gjithashtu në marrëdhëniet e kontaktet midis dy vendeve fqinjë, që janë veçanërisht të rëndësishme [për rajonin] e kjo është arsyeja pse e përshëndesim këtë veprim”, tha Gjurgjaj. Me këtë citim mbyllet shkrimi në portalin Southeast European Times.

Transportuesit shqiptarë vs maqedonas

“Detyra jote si kryeministër është të ndalosh targat maqedonase të punojnë këtu, nuk ka as 500 mijë as 1 milion lekë. Ose do ta bëjmë si turqit që u djegin makinat”, ky ishte kërcënimi publik i transportuesve shqiptarë i paraqitur në sajtin e Qeverisë. Sikurse është bërë e ditur, Kryeministri në detyrë Sali Berisha zhvilloi më 28 maj 20123 një bashkëbisedim elektoral me anëtarë të shoqatës së transportuesve në Portin e Durrësit. Këta të fundit reaguan me ashpërsi ndaj favorizimit që u bëhet transportuesve nga Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.  

90 për qind e transportit shqiptar është me targa maqedonase

“Ke 40 mijë transportues z. Kryeministër. Nga 5 vetë për familje i thonë 130 mijë persona, të cilët varen nga të ardhurat tona si transportues. Pas bujqësisë është transporti. Nga transporti varen dhe sektorët e tjerë. Kemi një fatkeqësi që ne nuk kemi ministri të transporteve, në Shqipëri  ka një ministri ankandi i druve, e kanë lënë transportin  në pikë të hallit. Shoqata jonë ka bërë 6 herë mbledhje, kemi ftuar ministrin e zëvendësministrin, dhe nuk kanë marrë asnjë masë për ne. Ne kemi tre gjëra kryesore. Thonë se kemi marrëveshje ndërkombëtare. Nuk ka mundësi z. Kryeministër që ti të firmosësh dhe të vijë maqedonasi te shtëpia ime dhe të më thotë na një copë bukë edhe ti, kjo është e jashtëligjshme. Maqedonasi nuk punon vetëm në Itali, por punon në Durrës e Tiranë, në transport të brendshëm. Kush fshihet, ku i mban makinat. 90 për qind e transportit shqiptar është me targa maqedonase. Detyra jote si kryeministër është të ndalosh targat maqedonase të punojnë këtu, nuk ka as 500 mijë as 1 milion lekë. Ose do ta bëjmë si turqit që u djegin makinat”.

Taksa italiane

“Taksat që aplikohen nga pala italiane janë vetëm për shqiptarët dhe janë vendosur që para vitit ’90… Kjo taksë penalizon shumë transportuesit tanë, pasi nuk janë kushtet e barabarta me transportuesit e vendeve të tjera. Në çdo vajtje-ardhje paguajmë më shumë se transportuesit e tjerë, 500-600 euro. Nisur nga kjo shumë, transportuesit për ta mënjanuar atë, kanë filluar të marrin trajlerë me targa të shteteve të tjera, maqedonase, bullgare deri në Estoni, por marrja  e këtyre trajlerëve ka shqetësim të madh, pasi taksat që duhet të shkonin në Shqipëri, shkojnë për shtetet e tjera. Duket sikur kemi fituar, por shteti dhe ekonomia nuk ka fituar gjë. Problemi tjetër është 100 për qind në dorën tonë. Ka disa vite që shumë transporte që mund t’i kryejnë transportuesit tanë i kryejnë transportues nga Maqedonia, Mali i Zi, Serbia. Kjo sepse organet tona të kontrollit i lejojnë ato mjete të kryejnë ngarkesa në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të transportit. Edhe kur nuk i kanë lejet organet, tona të kontrollit i lejojnë”.

Maqedonasit paguajnë 0.1 euro për ton në Itali

“Ka një lidhje mes firmave që merren me transport dhe doganave, ku dashje e pa dashje, transportuesit tanë ngarkojnë në kamionët e tyre mbingarkesa që ndikojnë negativisht edhe për emrin e transportuesve të tjerë shqiptarë. Eksportuesi e detyron që ai të vërë mbipeshë dhe i vetmi organ që e kontrollon mbipeshën është dogana, e cila duhet të tregojë seriozitetin e duhur. Në vitin 2007 është personalisht ndërhyrja juaj që u ulën gjysmë përgjysmë pagesat e trageteve që prekin porti shqiptar, ndërkohë që tragetet e shoqëritë e huaja që prekin portin shqiptar mbajnë të njëjtat çmime të biletave për shqiptarët. Kjo nismë nuk u bë që të favorizohen shoqëritë e trageteve, por që ne lehtësoheshin shqiptarët. Kam përshtypjen se këtu ka vend për t’u parë. Një çështje tjetër është se shoqëritë e Maqedonisë, duke paguar 0.1 euro për ton në Itali, e dëmtojnë në palcë transportuesin shqiptar dhe kjo është arsyeja pse transportuesi shqiptar merr trajlerë të huaj”.

Berisha: Maqedonia do të ketë të gjitha lehtësirat në portet tona

Në kuadër të vizitës së Kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski në Shqipëri, u zhvillua më 23 nëntor 2012 Forumi Ekonomik Shqipëri-Maqedoni, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë së dy vendeve dhe me mbështetjen e qeverive respektive, me pjesëmarrjen e biznesmenëve e investitorëve nga të dy vendet. Forumi u përshëndet nga Kryeministri Sali Berisha dhe Kryeministri Gruevski. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha tha mes të tjerave: “Shqipëria dhe Maqedonia janë dy vende jo të mëdha fqinj, por janë dy vende shumë të rëndësishme për njëra tjetrën… Për Shqipërinë këto vite turistët nga Maqedonia kanë qenë një zhvillim ndër më pozitivët. Një zhvillim që ka ndikuar fuqishëm në tregun turistik të vendit. Në këtë kontekst qeveria ime është e vendosur të bëjë gjithçka, së bashku me qeverinë e Maqedonisë, për të krijuar kushtet më të mira dhe më të sigurta për investitorët, investimet dhe projektet e  tyre. Shqipëria realisht ofron potenciale të mëdha për investitorët… të shfrytëzojmë të gjitha avantazhet që kemi sot, për t’u mbrojtur nga kriza, për të rritur shkëmbimet me njëri-tjetrin, për të bërë gjithçka që të paraqitemi para investitorëve botëror si një treg i vetëm se, duke qenë vende të vogla, i kemi problemet tona për madhësinë e tregut dhe unë gjykoj se duke krijuar këtë mjedis të përbashkët ne me sukses do të përballemi me pasojat e krizës. Duke nxjerrë leksione nga shkaqet themelore të kësaj krize, ne kemi mundësi të bëhemi një lloj "Azie", ta quajmë tani, në Rajonin Perëndimor të Ballkanit. Ndaj dhe ju siguroj se, do të bëjmë  çdo gjë për kuadrin ligjor më solid mes dy vendeve. Me kryeministrin [Nikola Gruevski – “Dyrrah”-u] diskutuam bashkërisht që të zgjerojmë të gjitha lidhjet infrastrukturore. Ne po ndërtojmë segmentin më të vështirë të Korridori 8 Tiranë-Elbasan dhe e përfundojmë atë pranverën që vjen. Ne jemi të gatshëm ta sjellim atë në Qafë Thanë. Ne, në kohën më të shkurtër mund të sjellim linjën hekurudhorë nga Lini dhe do procedojë me vendosmëri me linjën energjetike. Rruga e Arbërit, që afron dy kryeqytetet tona me 103 kilometra është një projekt në vazhdim, të cilin ne do ta plotësojmë patjetër. Maqedonia do të ketë të gjitha lehtësirat në portet tona, Durrës, Vlorë, Shëngjin etj. Ndaj dhe ju ftoj të konsideroni seriozisht investimet tuaja të nderuar biznesmenë të Maqedonisë në Shqipëri. Ju siguroj qe qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që ju të keni në këtë vend një histori të vërtetë suksesi”.

Ç’janë gollobordasit, maqedonas apo bullgarë

Në Durrës ka shumë dibranë nga Golloborda, që Nikolla Gjurgjajt, president i shoqatës maqedonase Ilinden në Tiranë i konsideron maqedonas etnikë. “Dyrrah”-u po riboton një shkrim të tij të 11 maj 2013: “Fillimisht grekët vunë veton për pranimin e Maqdonisë në BE, tani po na asimilojnë pakicën, shkruan e përditshmja maqedonaseVeçer në një artikull të titulluar “Koalicion greko-bullgar kundër maqedonasve edhe në Shqipëri!”. Plas sherri maqedonas-bullgar-grek-shqiptar për koalicionet e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri, pasi po pretendohet për përkatësinë etnike të minoritetit sllav. Njëra parti, Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian, që është bashkuar me koalicionin e djathtë, i cilëson të gjithë sllavët si maqedonas; ndërsa tjetra, Partia e Prosperitetit Demokratik, që u fut, bashkë më PBDNJ-në koalicionin e majtë, gollobordasit i lidh me bullgarët. “Grekët dhe bullgarët bashkuan forcat kundër maqedonasve edhe në Shqipëri”, shkruan e përditshmja e Shkupit Veçer. Në një konferencë të përbashkët për shtyp kreu i Partisë greke Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule shpalli bashkëpunimin e partisë së tij me Izeir Fetahun, kryetar i Partisë së Prosperitetit Demokratik (PPD), si koalicion me bullgarët në Shqipëri.Veçer-i ka ndjekur konferencën e shtypit dhe citon Dulen: “Ne kemi marrë vendim për bashkëpunim në këto zgjedhje politike. PPD-ja që përfaqëson interesat e komunitetit bullgar gollobordas do të bashkëpunojmë me ne në këto zgjedhje”. Aleanca Maqedonase për Integrimin Europian i hodhi poshtë me vendosmëri pretendimet se në Gollobordë banojnë bullgarë. “Kjo është propagandë e pastër e qeverisë bullgare kundër maqedonasve në Shqipëri dhe asimilim i maqedonasve në Shqipëri. “Fill pasi vunë veton ndaj Maqedonisë për negociatat e pranimit në BE, tani Bullgaria dhe Greqia po përpiqen të shkatërrojnë dhe asimilojnë pakicën maqedonase”, tha Vasil Sterjovski, sekretar i përgjithshëm i Aleancës Maqedonase për Integrimin Europian, i cituar nga Veçer-i. Sterjovski e konsideron këtë një disfatë të madhe edhe për diplomacinë maqedonase, e cila zhvilloi takim me Izeir Fetahun dhe e paraqiti si lider të partisë së dytë maqedonase në Shqipëri. Koalicioni joparimor do të dëmtonte maqedonasit në zgjedhjet e qershorit në qarkut të Elbasanit, ku banojnë shumë maqedonas nga Golloborda, shkruan Veçer-i. Dule deklaroi se “zoti Fetahu kryeson listën tonë [të PBDNJ-së] në qarkun e Elbasanit”. Me këtë rast “Dyrrah-u” citon Dulen të ketë deklaruar: “Dëshiroj të shpreh kënaqësinë që në këtë konferencë dal me zotin Izeir Fetahu arsyeja është se sot denoncojmë aktin arbitrar të KQZ dhe të kolegjit zgjedhor, që përjashton nga konkurrimi Partinë e Prosperitetit Demokratik”. “Kjo parti ka konkurruar edhe në procese zgjedhore të mëparshme”, tha Dule, ndërsa shtoi se arsyet e mospranimit të saj janë krejt absurde dhe të papranueshme, i cituar në komunikatën e shtypit të PBDNJ-së. Sipas të përditshmes Veçer, për dy vjet Fetahu ka bashkëpunuar me sukses me radikalin bullgar Krasimir Karakaçanov. Raportohet se kanë punuar me të njëjtën agjendë – pasaporta bullgare për maqedonasit në Shqipëri”.

Tekstet e fotove poshtë

1 Tabela e konsullatës së Shkupit në Durrës

2. Konsulli i nderit i IRJ të Maqedonisë në Durrës biznesmeni Aleksandër Pilo dhe ambasadori Vele Trpevski në ballkonin e konsullatës mbi zyrën e CEZ-it

3. Kryeministri Sali Berisha duke folur në Forumin Ekonomik Shqipëri-Maqedoni në Tiranë, më 23 nëntor 2012  

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/