DURRËS, 31 korrik 2013 – Dhoma e noterisë së Durrësit duket se është kthyer në një institucion “alkimistësh”, shkruan në numrin e 31 korrikut 2013 e përditshmja “Dita”, që shoqëron me karikaturë në faqen e parë shkrimin “… dhe shpërblimet vazhdojnë”. Sipas gazetës, “nëse je taraf i ndonjë zyrtari të lartë, kushëri, lidhje krushqie, bashkëpunëtor i ngushtë etj. nuk ke pse shqetësohesh fare për fatin tënd pas shtatorit. Mund të bëhesh noter, mjafton të veprosh shpejt, pa u ngrysur muaji i nxehtë i gushtit. Emrat e disa prej të afërmve të Presidentit të republikës, të vajzës së kryeministrit, të rrethit të ngushtë të Ridvan Bodes kanë nisur të veprojnë me shkathtësi dhe janë bërë tashmë noterë për të qenë të tillë pas rënies nga pushteti”.  Me këtë rast, “Dita” sjell disa shembuj. Zj. Edlira Nishani (kunata e presidentit Nishani), e cila punon aktualisht në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme të Durrësit, është certifikuar si notere kohët e fundit. Njësoj ka vepruar edhe znj. Diana Malltezi Hoxha, e cila është vajza e xhaxhait të z. Jamarbër Malltezit, bashkëshorti i znj. Argita Berisha. Z. Bedri Luku, i cili aktualisht është drejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme të Durrësit, është certifikuar gjithashtu si noter. Lista vijon me doganierë që bëhen noterë. Znj. Jonida Spahija është një nga rastet e hetuara nga DITA. Edhe z. Gerti Bode, nga shofer i drejtorit të Doganës Durrës është certifikuar gjithashtu si noter (!). Kuptohet, kur ministër Drejtësie ende në pushtet është deputeti i qarkut të Durrësit, z. Eduart Halimi.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/