DURRES, 30 korrik 2013 – Tre persona janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali tek stacioni i trenit, rreth orës 21:30, ku disa persona janë konfliktuar me njëri-tjetrin për arsye ende të panjohura.
Pas konfliktit verbal, sherri ka degjeneruar në përdorimin e mjeteve të forta dhe më pas njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri, tip pistoletë, duke plagosur 3 persona.
Krismat kanë shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë që ndodheshin në lokalet përreth, apo duke shëtitur në rrugë në ato momente, gjithashtu dhe tek fëmijët që luanin tek këndi i lojrave pak metra më larg.
Burime nga policia bëjnë të ditur se të plagosurit, I. Plaku, B. Luku dhe T. Hallulli, janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal, ku po u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.
Fatmirësisht, sipas mjekëve ata janë të tre jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje autorët janë të moshës 30-35 vjeç dhe janë larguar nga vendngjarja me një makinë të zezë.
Nga vendngjarja raportohet se ka mbetur i plagosur edhe një person i katërt H. Lama 55 vjeç.
Sipas policisë moshat respektive të tre të plagosurve të tjerë janë 65, 55 dhe 50 vjeç.
Vijon puna në terren nga ana e policisë për identifikimin e autorëve.





