VLORE,30 korrik 2013 – Policia e Vlorës arreston dy pronarët e resortit turistik në Vlorë, ku pasditen e së dielës u shënua vrasja e trefishtë. Saimir dhe Servet Qamo 25 dhe 54-vjeç , pronarë të resorit turistik në zonën e Kalasë pranë Ujit të Ftohtë, akuzohen për ‘moskallëzim krimi’.
"Në vijimësi të hetimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28.07.2013 në plazhin e quajtur “KALAJA” ku mbetën të vrarë 3 persona, Grupi Hetimor i ngritur posacërisht për këtë ngjarje ka bërë arrestimin në flagrancë edhe të shtetasve: Saimir Hiqmet Qamo, 25-vjec dhe Servet Hajredin Qamo, 54-vjec, të dy banues në Vlorë, bashkëpronarë të plazhit të quajtur “Kalaja”, ku ndodhi ngjarja. Arrestimi i tyre u krye pasi megjithëse kishin detyrimin ligjor për të kallzuar kimin e ndodhur në plazhin që kishin në pronësi nuk kanë e kryer një gjë të tillë, duke mos dhënë shpjegime. Arrestimi i tyre u krye për veprën penale “Moskallzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal", thuhet në deklaratën e policisë së Vlorës.
Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë së këtij qarku dhe kreu i Prokurorisë Dorian Tafili bënë të ditur dje se është vënë në pranga 18-vjecari Leo Osmeni, person me precedent penale njëherësh autori kryesor i dyshuar për atë që tashmë njohet si 'masakra e Vlorës'.
Nga hetimet u zbulua se 2 prej viktimave, Serdi Bajlozi 17-vjec dhe Sokol Isufaj 34- vjeç janë goditur nga plumba rikoshet, ndërkohë që gruaja 52-vjecare Diana Ademi është qëlluar, ndërkohë që arma ka qenë duke u ulur në tokë.
Sherri para masakrës, dëshmitari: Gjithçka për një femër
Breshëri automatiku… Bërtitje dhe ulërima… Pak më tutje edhe kuje vajtimi… Duket si pamje e filmave italianë të Cosa Nostrës, por në fakt është një realitet, që dy ditë më parë tronditi gjithë pushuesit në bregdetin e Vlorës, por jo vetëm ata. Do të jenë të shumtë personat që do ta mbajnë mend gjatë pasditen e së dielës së kaluar, kur pas një breshërie automatiku të shkrepur “kuturu”, mbetën të vrarë tre persona të pafajshëm. Mrekullisht “çmendurisë” së Vlorës, ashtu siç quhet tani, i ka shpëtuar edhe 21-vjeçari Justin Mërkuri. Ai ka qenë vetëm pak hapa larg breshërisë së automatikut, madje aq afër sa atë breshëri duket se e dëgjon akoma në kokë. 21-vjeçari ka rrëfyer për “Gazetën Shqiptare” tmerrin që ka përjetuar në ato momente, duke dhënë edhe detaje të tjera lidhur me masakrën e së dielës në zonën e Kalasë në Vlorë. “Ishte breshëri, por me sa mbaj mend dhe më është fiksuar në vesh, ishte breshëri me 2 ndalesa.
Pra, autori qëlloi një herë me breshëri, më pas ndaloi dhe qëlloi përsëri”, – pohon Justini. Sipas të riut, autori që ka qëlluar, ka pasur si shënjestër çadrën e disa djemve nga Fieri, të cilët po ngacmonin motrën e autorit. “Në fakt, autori jo se goditi pa shënjestër. Ai erdhi dhe qëndroi mbi 6 shkallët që zbret poshtë. Nga e goditura plumbat kanë kapur edhe bordurën, e cila bëri rikoshet, që vrau aksidentalisht edhe 2 viktimat e tjera”, – rrëfen Justin Mërkuri për “GSH”. Ai kishte zgjedhur bregdetin e Vlorës për të pushuar, deri në momentin që ajo pasdite pushimi u ndërpre nga breshëria e një automatiku, që mori jetën e tre personave të pafajshëm. Nga breshëria mbetën të vdekur në vend, 17-vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen, por humbën jetën pas plumbave rikoshet. Vetëm ditën e djeshme, policia ka vënë në pranga 18-vjeçarin Leo Osmëni, si personi i dyshuar për ngjarjen e së dielës.
Ku ishit në momentin që ndodhi vrasja?
Isha tek kalaja, si gjithë pushuesit e tjerë. Aty kam qenë edhe në momentin që ndodhi vrasja. Më pas nuk mbaj mend se çfarë kam parë.
Nëse ti e mban mend, përse nisi gjithë kjo histori?
Me sa kam parë, i gjithë sherri u bë, për shkak se çunat nga Fieri po ngacmonin 2 vajza që ishin ngjitur me ta në shezlong. Njëra prej vajzave ishte edhe motra e autorit.
Ju thoni që viktimat nuk kishin lidhje me ngjarjen, por gjithçka ka nisur për një sherr banal. Po më pas çfarë ndodhi?
Më vonë pashë që erdhën 2 çuna nga lart dhe filluan të shaheshin e më pas të goditeshin me grushte me të rinjtë nga Fieri. Pasi u zunë me fjalë dhe grushte, njëri prej djemve u ngjit lart dhe erdhi pas gati 3 a 4 minutash. Ai kishte automatik dhe zbriti poshtë. Pastaj filloi të qëllonte me breshëri automatiku në drejtim të çadrës ku ishin të rinjtë nga Fieri.
Çfarë ndodhi më pas?
Pas goditjes, të gjithë filluan të fshiheshin poshtë shezlongëve. Pashë njerëz që vraponin, ku e ku të iknin, nga frika. Por disa minuta më vonë pasi kishin ikur autorët, u dëgjua edhe një e shkrepur automatiku. Çfarë të them më!? Pak a shumë kjo është e gjithë ngjarja. Motivi ishte vetëm se u ngacmuan 2 femra nga të rinj nga Fieri dhe njëra prej vajzave ishte motra e autorit.
Autori, kishte shënjestër kur qëllonte?
Në fakt, autori jo se goditi pa shënjestër. Ai erdhi dhe qëndroi mbi 6 shkallët, me anë të të cilave zbret poshtë. Mendoj se bordura ku kalonin pushuesit, që ishte e drejtë, ishte ngjitur me çadrën e të rinjve nga Fieri. Nga e goditura plumbat kanë kapur edhe bordurën, e cila bëri rikoshet, që vrau aksidentalisht edhe 2 viktimat e tjera.
Djemtë që qëlluan, ishin në çadrën e vajzave apo erdhën më vonë?
Unë dëgjova vetëm të shtënat, por për ta parë se si ndodhi fiks, nuk e kam parë edhe aq me shumë detaje, se ishin shezlongët ngjitur dhe s’të linin që të kishe një pamje të pastër. Çunat nuk ishin fare aty, por besoj se ato 2 vajzat i morën në telefon pasi u ngacmuan nga djemtë nga Fieri.
Juve thatë që, pasi u larguan autorët, u dëgjua edhe një e shkrepur automatiku. Autori ka qëlluar edhe gjatë momentit që është larguar?
U dëgjuan disa të shtëna armësh më vonë dhe këto të shtëna duhet të jenë bërë pasi janë larguar me makinë.
Patë ndonjë person të plagosur në ato momente?
Vetëm një person pashë që ishte plagosur në këmbë. Për persona të tjerë nuk mbaj mend mirë, pasi ishim të gjithë të hutuar e vetëm largoheshin.
Sa herë qëlloi autori?
Ishte breshëri, por me sa mbaj mend dhe më është fiksuar në vesh, ishte breshëri me 2 ndalesa. Pra, autori qëlloi një herë me breshëri, më pas ndaloi dhe qëlloi përsëri.
Sa larg çadrës së vajzave ishe ti?
Unë isha në një vijë çadrash ku ishin edhe të rinjtë nga Fieri. Isha 4 çadra larg çadrës ku ishin djemtë nga Fieri.
Po personat që mbetën viktima në këtë tragjedi, i pe ku ishin vendosur?
Kam parë vetëm dy prej tyre, gruan që vdiq dhe djalin 17-vjeçar nga Prrenjasi. Gruaja ishte në rreshtin e parë të shezlongëve, nga fillimi, po numrin e çadrës nuk e mbaj mend, se ishte thjesht momenti që u panë viktimat, kur po largoheshim nga vendi i ngjarjes. Kurse djali nga Prrenjasi ishte afër bordurës që zbret për në det… Unë ika lart me gjithë të tjerët.
Sa djem ishin ata që qëlluan dhe a i pe ti?
Ishin dy djem, por vetëm njëri prej tyre qëlloi. Unë i pashë vetëm si trupa, jo si fytyra. Nuk i mbaj mend nëse i shikoj, pasi nuk i pashë dot pastër.
Pasi mbaruan të shtënat, çfarë mban mend?
Mbaj mend që vetëm dëgjoheshin të bërtiturat e njerëzve, që iknin të irrituar me shpejtësi duke u ngjitur lart. Po kishte edhe persona që ndenjën poshtë dhe nuk shkuan lart.
Pas sa minutash ka mbërritur policia në vendin e ngjarjes?
Nuk mund ta llogaris mirë, por diku tek 10 ose më shumë minuta. Nuk e mbaj mend me saktësi.
(Burimi/ balkanweb)





