· Në kalatën 6 qysh më 28 korrik 2013, ora 10:30, deri në orën 18:51 të 30 korrikut 2013 nuk është shkarkuar anija “MSC Jilhan” me 400 copë kontejnerë
· Anija “Pagola” e ngarkuar me 14 copë kontejnerë qysh më 26 korrik 2013, ora 1:20 të natës ndodhet në radë
· Situata mund të rëndohet për shkak se më 31 korrik dhe 1 gusht vijnë dhe dy anije me kontejnerë
DURRËS, 30 korrik 2013 – Aktualisht në territorin e portit detar funksionojnë 11 kabina të transformimit elektrik, që sigurojnë në disa rrugë furnizimin me energji të të gjithë territorit portual, që ndahet në terminalin perëndimor, atë të kontejnerëve, të trageteve, dhe në terminalin lindor, por kontejnerët frigoriferikë me mish furnizohen me ndërprerje për shkak të paaftësisë së koncesionarit turk “Kurum”.
Ndërtimi i një kabine të re me transformator 1000 kVA mundëson punën normale për 7-8 elektrovinça në kalatën 10 dhe në kalatën lindore njëkohësisht. Në kuadër të realizimit të dy projekteve për infrastrukturën në hyrjen nr 4 dhe në rrugën e re pranë godinës së doganës janë shtruar rreth 3 mijë metra kabllo me seksion 3 x 120 + 50 mm. Në këto rrugë janë instaluar edhe ndriçues pune dhe ndriçues dekorativë, thotë drejtoria ekzekutive e Autoritetit Portual Durrës (APD).
Mishi
Në numrin e 29 korrikut 2013 e përditshmja Panorama botoi një vëzhgim të gazetares së saj Zirina Llambro me titullin “Kontejnerët pa energji mijëra tonë mish qelben në Durrës. Duhet të ruhen në -18 gradë. Në pikëpyetje standardi”.
Ajo thotë se vëzhgimi u bë pas një sinjalizimi për mangësi dhe probleme me mënyrën si ruhet mishi i ngrirë që përdoret më pas në restorante e fast-food-e, u përpoqëm të verifikojmë vetë nëse ky mish është i sigurt për konsumatorin.
Sipas Panoramës, ishin stivë të paktën 100 kontejnerë me mish gjedhi, derri, cungje (të pulave kryesisht, të brendshme mishrash). “Disa nga punonjësit na sqaruan se, pasi shkarkohet nga anijet e tragetet, kontejnerët duhet të furnizohen me energji elektrike në mënyrë që të mbahet e pandryshueshme temperatura -18 gradë celsius që ruan mishin. Ndodh që kontejnerët të rrinë për ditë, javë e muaj në port, por me energjinë elektrike që duhet “t’i ushqejë” çdo ditë nuk ndodh kështu. Furnizimi bëhet direkt nga shtyllat, të cilat nuk janë të mjaftueshme për t’i përballuar të gjithë. Ndaj është gjetur një mënyrë origjinale. Kontejnerët furnizohen me radhë. Nga 100 kontejnerë në Portin e Durrësit, më shumë se gjysma i kishin të fikur motorët e ventilimit ditën kur shkuam të vizitonim portin.
“Ndodh që edhe për 24 orë ose më shumë të mos furnizohen me energji elektrike. Normale nuk është, por na duhet t’u vëmë korrentin të gjithëve ndaj s’ka mënyrë tjetër për ta përballuar”, na thotë një nga punëtorët e portit. Kur e pyesim se çfarë ndodh me mishin, nëse për shkak të mungesës së energjisë elektrike temperatura brenda kontejnerit bie nën -18 gradë, përgjigjja është ajo që prisnim, “qelbet”. “Ka pasur raste kur veterineri ka ardhur për të kontrolluar mishin brenda dhe, kur është hapur mishi, ka qenë gati i kalbur dhe me erë të rëndë”, thotë punonjësi në port. Ngurron të të përgjigjet në fillim, kur e pyet se çfarë ndodh me këto tonelata mishi. Por, pasi sheh majtas e djathtas e nuk gjen njeri që mund ta spiunojë, e thotë copë: “Mishi vendoset prapë në ngrirje dhe pastaj zhdoganohet e hidhet në treg. Ja çfarë ndodh, e hanë shqiptarët”.
Përgjegjësia
Shkrimi, gjithsesi nuk godet në shenjë pasi çdo gjë është anonime. Duhej vënë gishti tek administratori i terminalit të kontejnerëve, shoqëria koncesionare "Kurum" dhe "Mariener", që e kanë marrë zyrtarisht në dorëzim më 6 shkurt 2013. Kjo kontratë është përfolur shumë, madje mungon transparenca, pasi në Fletoret zyrtare mungojnë anekset e kontratës, ndryshe nga sa zbatohet në botimin e ligjeve dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore.
Në rastin e terminalit të kontejnerëve, një koncesion 35-vjeçar, administratorët duhet të përgjigjen për gjithçka. Por kompania metalurgjike “Kurum” duhet të jetë bërë pishman që pati kaq oreks, pasi nuk është në gjendje të menaxhojë, pasi falimentoi kantierin detar. Kështu, jo nga mungesa e energjisë elektrike, por nga paaftësia për përpunimin në kohë të kontejnerëve, ata frigoriferikë e bëjnë me turne furnizimin me korrent. Mjetet e shkarkimit janë më të vjetra se ato që dispononte APD-ja dhe që i vuri në shitje. Kjo ka sjellë zvarritje në shkarkim, stivim dhe ngarkim të kontejnerëve. Por edhe agjencitë që merren me anijet e kontejnerëve nuk kanë dëshirë të prononcohen dhe nuk dihet pse. “Dyrrah”-u u mundua të kontaktojë me administratorin e një shoqërie leading në transportin e kontejnerëve, por, me të marrë vesh interesimin e medies, ishte “shumë i zënë”. Në kalatën 6, terminali i kontejnerëve, qysh më 28 korrik 2013, ora 10:30, ende nuk është shkarkuar anija “MSC Jilhan” me 400 copë kontejnerë. Kështu raportohet në situatën e përditësuar nga dispeçeria në orën 18:51 të 30 korrikut 2013. Ndërkohë që anija “Pagola” e ngarkuar me 14 copë kontejnerë qysh më 26 korrik 2013, ora 1:20 të natës ndodhet në radë. Situata mund të rëndohet për shkak se më 31 korrik dhe 1 gusht vijnë dhe dy anije me kontejnerë (shih tabelën e raportit ditor të anijeve datë 30 korrik 2013, ora 18:51)
Info/ Kronologjia e koncesionit
1. Vendim Nr. 532, datë 13.7.2011
Për miratimin e kontratës së koncesionit “Për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit”, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Durrës Kurum Shipping” SHA dhe “Global Ports Holding” SHA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 4 e 27 të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e kontratës së koncesionit të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, si autoritet kontraktues dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Durrës Kurum Shipping” sh.a., dhe “Global Ports Holding” sh.a., për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të terminalit të konteinerëve në Portin e Durrësit, sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij
vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike dhe Transportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
2. Vendim Nr. 665, datë 26.9.2012
Për miratimin e një ndryshimi në kontratën e koncesionit për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Durrës Kurum Shipping” sha dhe “Global Ports Holding” sha, miratuar me Vendimin nr. 532, datë 13.7.2011 të Këshillit
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 128 të ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative” dhe të neneve 15, 21, pika 4, e 27, të ligjit nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Miratimin e një ndryshimi në kontratën e koncesionit të lidhur ndërmjet Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, si autoritet kontraktues, dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Durrës Kurum Shipping” sh.a. dhe “Global Ports Holding” sh.a., për menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik të terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit, sipas tekstit dhe shtojcës 1, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike dhe Transportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha (Fletorja Zyrtare nr. 136 viti 2012 faqe 7725)
3. Nga njoftimi i APD-së, datë 6.2.2013
Më 6 shkurt 2013 në mesditë, në mjediset e drejtorisë së përgjithshme të APD në prani të ministrit të Punëve Publike e Transportit, Sokol Olldashi, u nënshkrua Procesverbali i Dorëzimit për Koncesionin e parë në territorin portual. Marrëveshja e dorëzimit, që parashikonte transferimin e infrastrukturës së terminalit si dhe personelit e tij nga APD-ja te shoqëria koncesionare Kurum, u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i APD Eduard Ndreu dhe administratori i shoqërisë koncesionare Kurum Ahmed Kursun. Në ceremoni mori pjesë edhe administratori i përgjithshëm i kompanisë turke, Hashmet Kurum. Pas nënshkrimit të materialeve nga palët, ministri i Sokol Olldashi, tha për mediet e pranishme se, “ky koncesion është një arritje shumë pozitive për portin e Durrësit, sepse do t’i lejojë terminalit të kontejnerëve të marrë nga dita në ditë një volum më të madh dhe një peshë gjithmonë më të madhe në aktivitetin ekonomik të portit. Për më tepër le të përmendim faktin, që pjesë e marrëveshjes së këtij koncesioni ka qenë rikthimi për APD për një sipërfaqe tokësore dhe ujore prej 140 mijë metra katrore, pra ish-kantieri detar, që ka qenë në posedim të plotë të shoqërisë Kurum, – vlerësoi ministri Olldashi. Koncesioni parashikon një investim në vlerën prej 30.5 milionë USD përgjatë 35 viteve të zhvillimit të koncesionit, – tha më tej z. Olldashi. Koncesioni parashikon që të gjithë punonjësit e Terminalit të kontejnerëve do të vazhdojnë të punojnë, tanimë jo si punonjës së portit detar, por si punonjës të Terminalit të kontejnerëve me koncesionin Kurum. Ministri Olldashi tha më tej se Kurum-i, që është një nga investuesit më të mëdhenj të huaj në vend, dhe do të dijë në bashkëpunim me partnerët e tyre ta administrojë këtë koncesion në mënyrën më të mirë të mundshme për të rritur përfitimin ekonomik të terminalit, i cili ndahet në një mënyrë shumë të mirë mes shtetit, APD-së dhe vetë shoqërisë. Sipas Olldashit, 21 për qind e tarifës do t’i shkojë APD-së, megjithëse Terminali do të funksionojë si koncesion, 2 për qind i shkon buxhetit të shtetit dhe pjesa që mbetet, sigurisht i shkon shoqërisë (vijon).
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





