DURRËS, 15 qershor 2013 – Varreza detare e Durrësit vazhdon e turbullon Italinë edhe pas 73 vjetësh, thjesht sepse kreu i fashizmit italian Musolini u ka fshehur italianëve një tragjedi.
Mediet italiane bëjnë të ditur se më 13 qershor 2013 bashkia e Banjo (Bagno)-a-Ripoli-t, qytet i vogël rreth 7 km në juglindje të Firences, ka marrë nën patronazh Shoqatën Kombëtare të Artiljerëve të Italisë (seksioni i Firences) për nismën “Fundosja e anijes Paganini – 28 qershor 1940 në Durrës. Kërkim i familjarëve të të mbijetuarve, zhdukurve dhe të vdekurve”, për rëndësinë e saj kulturore.
Nisma synon gjetjen e njoftimeve, datave dhe të dhënave për artiljerët dhe pjesëtarë të armëve të tjera të ushtrisë, që kanë hipur në Bari në anijen “Paganini” në drejtim të Shqipërisë.
Misteri
Po vazhdon një kërkim historik lidhur me fundosjen e anijes Paganini, ku ishin imbarkuar ushtarë të disa regjimenteve të Firences.
Anija shpërtheu në brigjet e Durrësit, më 28 qershor 1940.
Dhe nëse emrat e të rënëve janë të njohur, pak ose asgjë nuk dihet në lidhje me të mbijetuarit: dokumentet e regjimenteve fiorentinase u përmbytën në vitin 1966 edhe për faktin se nuk u restauruan, përfundimisht u shkrinë fare.
Ja çfarë dihet
Më 28 qershor 1940, tetëmbëdhjetë ditë pas hyrjes në luftë të Italisë, anija “Paganini” shpërthen në brigjet e Durrësit.
Në bordin e piroskafit, që mund të transportonte 58 udhëtarë, përveç mallrave, ishin mbi nëntëqind ushtarë të regjimentit të nëntëmbëdhjetë të artilerisë dhe një seksion i Institutit të Gjeografisë Ushtarake, të dislokuar në Firence.
Njësitë u imbarkuan më 27 qershor 1940 në Bari, në anijen Paganini dhe u nisën në drejtim të Shqipërisë bashkë me një anije-cisternë, Pagano-n, të shoqëruar nga destrojeri Fabrizi.
Në pesë të mëngjesit, një shpërthim në qendër të anijes: menjëherë ngrihen lart flakë, të qara, dëshpërim, panik.
Sabotim?
Sipas hetimeve të gjykatës së Tiranës të vitit 1940, flaka, që shpërtheu në hambarin numrin 2, ishte sabotim.
Humbjet njerëzore ishin tejet të rënda, shumë ushtarë vdiqën apo humbën, pati të plagosur dhe të djegur dhe me shenja të përjetshme gjymtimi.
Për shumë ditë nuk pati asnjë lajm, më vonë, më 11 korrik, familjarët mësojmë nga gazetat mbi fatin e të dashurve të tyre.
Ministria e luftës u dërgoi familjeve fjalët e zakonshme të ftohta të rastit. Buletinet e luftës nuk do të flisnin kurrë për çka ndodhi.
Heshtja
Mbytja e Paganini-t kaloi në heshtje, për gati shtatëdhjetë vjet ishte e pamundur mësohej ndonjë gjë.
Ka shumë mistere që kanë mbështjellë fundin e anijes, e cila u ka kushtuar jetën më se 219 ushtarëve, sipas burimeve zyrtare, por sipas burimeve të tjera, shifra totale arrin në 340 veta.
Kërkimi i relikteve
Ndërkohë në ujërat e bregdetit durrsak zhytës italianë e shqiptarë kanë bërë kërkime për reliktet e Paganini-t.
Nga 3 deri në 10 korrik 2010, një ekip italian-shqiptar që ka bërë zhytje në gjirin e Durrësit, Vlorë dhe Sarandë për relikte të anije tregtare italiane, të humbur gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka identifikuar reliktin e piroskafit Probitas dhe ka dokumentuar për herë të parë dhe piroskafet Luciano dhe Rosandra.
Në kompleksin e objektivave të zhytjeve ishin reliktet e fundosura në vitet 1940-1943 dhe në veçanti: të anijes Paganini, piroskafit Probitas, anijes spitalore Po, piroskafit Luciano, anijes Rovigno dhe piroskafit Rosandra.
Relikti i anijes Paganini (2,427 tonë), fundosur në bregdetin e Durrësit më 28 qershor 1940 ishte objektivi i parë.
Morën pjesë në zhytje Cesare Balzi, Alessandro Boracina i NAUTICAMARE DIVE TEAM Verona, Michele Favaron i ACQUELIBERE SUB Padova, Mauro Pazzi i SUB DELPHINUS Ravenna, Igli Pustina dhe Arian Gaçe të BLUE SUB Tirana.
“Dyrrah”-u boton disa foto të ekspeditës italo-shqiptare sipas “scubaportal.it”.
Dëshmia e Thoma Berberit (pionier i shkollës shqiptare të zhytjes)
Unë së bashku me miqtë e mi jemi zhytur në vitin 1993 për herë të parë në vendin ku ndodhet anija Paganini.
Në vitin 1996 për herë të dytë dhe ne vitin 2009 ka qenë hera e fundit që jemi zhytur në vendin ku ndodhet anija e mbytur.
Miqtë e mi Ilir Çapuni nga Ulqini, pedagog në një universitet shqiptar, Massimo Clementi, operator nën ujor i RAI Linea blu dhe Franz Mittermayer, janë zhytës turistikë të pasionuar pas relikteve.
Gjatë bisedimeve dhe darkave me miqtë e mi zhytës, ata mundoheshin të më bënin të qartë se këto anije të mbytura ishin një resurs i mirë për të ardhura dhe njëkohësisht me anë të tyre ne u bënim të ditur mbarë botës historikun e anijeve të mbytura në bregdetin durrsak.
Unë dhe këta zhytës jemi miq, ata interesohen gjithmonë për turizmin dhe për reliktet që ka qyteti ynë.
I shoqëroja nw të gjitha zbulimet.
Në përgjithësi ata mundoheshin të na kultivonin atë që ne nuk e dinim, idenë se këtu në këto vende ka resurse për turizmin.
Ka shumë njerëz që zhyten dhe kanë dëshirë të vijnë të zhyten dhe t’i shohin këto mrekulli që mban bregdeti ynë.
Veç kësaj secila prej këtyre relikteve ka historinë e saj, por ajo që më bën përshtypje dhe që të vjen keq është, sepse ne kur shkuam në 1993 anija Paganini ishte në gjendje të mirë dhe në 1996 po ashtu, por kur shkuam në 1998 ajo ishte shkatërruar, sepse kishin hedhur eksploziv për të vrarë peshqit dhe e kishin shkatërruar në disa vende.
Ky shkatërrim ngre një alibi, sepse nuk duket kush ka qenë shkaku i mbytjes në atë kohë, ndonjë silur apo diçka tjetër.
Këta turistë e dinin që në këtë anije kanë qenë 900 persona, që janë mbytur 212 zyrtarisht, por kanë qenë 219, mes tyre 6 nënoficerë shqiptarë.
Këta zhytës e dinin për shqiptarët dhe besoj se ky do të jetë sensacion për të gjithë lexuesit e këtij artikulli.
Historianët e kohës së re, të Luftës së Dytë Botërore, duhet të vihen në lëvizje që edhe pse ata kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë fashiste, mbi të gjitha kanë qenë shqiptarë.
Këto janë gjëra që duhen parë dhe gjetur dhe ndoshta familjet e tyre ende i kërkojnë.
Në vendin, ku kjo anije është mbytur, janë bërë fare pak zhytje për të vërtetuar shkaqet e mbytjes.
Me gjithë tragjedinë e ndodhur, kjo anije mbetet një pikë turistike tashmë për të pasionuarit e zhytjeve turistike dhe historike.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





