Nga Dritan Hila
Ishte një godinë e rrethuar, e përbërë nga qeli të vogla ku secila ishte e gjatë një metër e dhjetë centimetra, e gjerë një metër dhe e lartë një e shtatëdhjetë centimetra, me dy pllaka guri horizontale, ku njëra shërbente si ndenjëse dhe tjetra si tavolinë. E ruanin ushtarë, dhe shërbyes kalonin periodikisht për të shërbyer racione ushqimorë dhe mbledhur mbeturinat, përfshirë ato njerëzore. Bujtësit duhet të jetonin tre ditë dhe dy net në këto hapësira, dhe në fund të jepnin provimin e katër librave dhe pesë klasikëve të konfucianizmit të përbërë nga 431.286 karaktere. Pasi dialekti han, ka karaktere që shprehin domethënie dhe jo shkronja si gjuhët latine. Së bashku me “Urtësinë e tetëfishtë” të futur shtesë në vitin 1487, është provimi më i vështirtë i historisë, ku një aspirant duhet të kalonte për t’u bërë pjesë e administratës publike dhe zhvillohej në Perandorinë e Mesit, siç quhej dikur Kina e sotme. Godina ndodhet sot e kësaj dite në Nankin, kryeqyteti i perandorisë, deri në vitin 1403, kur Yongli, perandori i tretë i dinastisë Ming, do ta transferonte në Pekin.
Bëhet fjalë për një administratë, e cila kishte mbajtur në këmbë perandorinë që ka një histori me rrënjë qindra vjet përpara Krishtit, dhe deri në fillimshekullin e njëzetë, kur u shkërmoq. Kryengritje, pushtime, epidemi, katastrofa natyrore, luftëra civile dhe mbretërvrasëse kishin kaluar mbi nënkontinentin aziatik, por administrata publike kishte qenë aty, e paluajtur, e sofistikuar, e rafinuar, pa pasione, besnike e hapësirës që më shumë se kufij shtetërorë, ishte frymë, ide, koncept, filozofi dhe quhej Kinë. Për më shumë se dy mijë vjet, më tepër se shpikja e barutit, porcelanit, orës, letrës, ndërtimi i anijeve gjigante (ku ajo e Admiralit Zheng He ishte 120 metra, pesë herë më e madhe se e Kristofor Kolombit që 92 vjet më vonë, në 1492 kaloi Atllantikun), më shumë se kanalet e lundrueshëm, Muri i Madh kinez, rrethimi të qyteteve (ku ai i Pekinit kishte 30 kilometra, ndërsa i Londrës dhjetë herë më i vogël), administrata publike ishte Kina.
Nuk kishte perandor, i ardhur në fron nga e drejta e gjakut, vëllavrasja apo me luftë, që nuk merrte parasysh mendimin e administratës publike. Dymijë e pesëqind vjet në shërbim të shtetit ia kishin dhënë të drejtën të thoshte mendimin e saj, dhe pse jo në të shumtën e rasteve të ishte pikërisht verdikti i saj që do caktonte fatin e Kinës.
Në shekullin e 14-të, Europa kishte më shumë se njëmijë njësi shtetërore të pavarura. Në periudhën 1500-1799, Spanja kalonte 81 për qind të kohës në luftë, Anglia 53 për qind, Franca 52 për qind. Kina e kohës, ishte një hapësirë ku prodhimi i orizit dhe drithërave nëpërmjet rrjetit të kanaleve, grumbullohej në depot shtetërore, dhe shpërndahej në mënyrë uniforme gjatë periudhës së vitit, për mos lejuar spekulime me çmimin dhe konflikte të armatosura. Hordhitë e barbarëve, përpiqeshin të mbaheshin larg kufijve nëpërmjet ushtrive, dhe nëse ishte e pamundur duke realizuar fortifikime. Por edhe kur pushtohej, si në rastin e mongolëve, pushtuesit, pushtoheshin kulturalisht nga të mundurit, harronin artin e shkatërrimit nga shala e kalit dhe mësonin atë të qeverisjes nga froni perandorak. I gjithë ky transformim i pushtuesit, i kontrolluar dhe mësuar nga administrata publike.
Kur perandori Wanli i kërkoi misionarit jezuit Matteo Ricci, të vizatonte hartën e botës mbi një fletë orizi, e urdhëroi që perandoria e tij të vendosej në qendër të botës, duke i dhënë emrin me të cilën jo rrallë emërtohet edhe sot Kina, si Perandoria e Mesit. Ishte kjo ndjenjë stabiliteti dhe qëndrueshmërie, e cila e bënte Kinën të ndjehej superiore ndaj botës që e rrethonte. Ajo që Matteo e kishte thënë në biblën e tij, “Jepini Cezarit atë që është e tij dhe Zotit atë që është e Zotit” si një kanon mbi të cilën ndahet shteti nga besimi, ku shteti është një entitet që ecën bashkë me njeriun e qytetëruar dhe ka shprehjen e tij në administratën publike, kinezët e kishin bërë pesëqind vjet përpara Krishtit. Çfarë romakët e kishin kuptuar se pa administratë profesionale, nuk mund të qeverisej një perandori, që europianët pas vitit 1848 filluan ta riaplikonin, kinezët nuk ia kishin prerë asnjëherë vazhdimësinë.
Disa ditë përpara, Parlamenti shqiptar miratoi “Ligjin për statusin e nëpunësit civil”. Nuk dihet pse ligji i parë, një ligj shumë i mirë, por asnjëherë i zbatuar për shkak të vullnetit politik, u zëvendësua. Nuk kuptohet pse, paaftësinë e saj, politika shqiptare e mbulon me ndryshimin e ligjeve ose justifikohet me mungesën e tyre, por asnjëherë nuk e vë gishtin mbi plagë dhe të pranojë se është ajo shkaktarja që pas njëqind vjetësh pavarësi, vendi ynë nuk ka ende një administratë profesionale. A thua ligjvënësit që votuan ligjin e kanë parasysh se çfarë do të thotë administratë publike dhe këtë radhë e kanë me gjithë mend që ta zbatojnë?





