Pas votimit ditën e djeshme në Kuvendin Kombëtar, Partia Demokratike ka publikuar emrat e anëtarëve që do të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar.
Ajo që bie në sy mes anëtarëve të degës së Durrësit që janë votuar për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar është fakti se janë zgjedhur në një nga organet më të larta vendimmarrëse në parti disa nga kandidatët për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Doktoresha Manjola Luku, njëra prej kandidateve më të votuara më 25 prill, por që nuk arriti të fitonte një mandat deputeti është zgjedhur për herë të parë për të qenë pjesë e këtij këshilli. Po kështu edhe Agim Baçi dhe Erzen Laçi, ish-kandidatë për deputetë janë tashmë pjesë e Këshillit.
Ish-deputetët, Igli Cara dhe Gazmend Oketa janë rikonfirmuar sërish si pjesë e Këshillit Kombëtar, së bashku me nënkryetarët e degës së PD Durrës, Arlind Boshku dhe Pëllumb Berisha.
Përveç Manjola Lukut, anëtare të tjera gra nga dega e Durrësit janë zgjedhur ish-deputetja Fatbardha Kadiu dhe koordinatorja e medias për fushatën Jola Hysaj.
Pjesë e Këshillit është dhe urbanisti Ardian Muka, sekretari i degës Luan Hoti, ish-kryetari i degës Osman Stafa, dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Osman Metalla, kreu i degës në Shijak Rezeart Tusha etj. Në Këshillin Kombëtar zgjidhen automatikisht deputetët e qarkut Durrës, Edi Paloka, Merita Bakiu, Oerd Bylykbashi, Ferdinand Xhaferaj dhe Andia Ulliri.