DURRËS, 18 maj 2013– Një fushatë me shpenzime, premtime të mëdha dhe dhunë ndaj administratës së detyruar të ndjekë ngjarjet politike në ruajtje të vendit të punës. Kështu e ka vlerësuar kryetari i FRD-së Bamir Topi fushatën butaforike të forcave të mëdha politike në vend, ndërsa ftoi politikën të ulë kokën dhe pranojë gabimet:

"Fushata ka nisur me shumë butafori, shpenzime dhe fishekzjarre, po ata që e kanë nisur me to nuk do të arrijnë t'i shpërthejnë pas 23 qershorit. Është një politikë e mbrapshtë që i dhunon njerëzit dhe i detyron të shkojnë në takime elektorale për të ruajtur vendin e punës, ndërsa kjo politikë duhet të ulë kokën dhe të pranojë gabimet e bëra."

Ndërsa ftoi qytetarët të votojnë të pandikuar për të sjellë ndryshimin, Topi u shpreh mjaft optimist për përfaqësimin e Frymës së Re Demokratike në Kuvendin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ai shprehu bindjen se FRD do të jetë një forcë e rëndësishme vendimmarrëse.

Duke u ndalur te premtimi i kryeministrit Berisha për heqjen e vizave me SHBA gjatë mandatit të ardhshëm, Topi tha se uron që shqiptarët të lëvizin sa më shpejt pa viza në të gjithë globin, por janë autoritetet amerikane ato që bëjnë vlerësimet dhe vendosin mbi regjimin e vizave dhe jo dëshirat e premtimet elektorale:

"Uroj që shqiptarët të lëvizin pa viza në të gjithë globin, por i takon administratës së Shteteve të Bashkuara që të vlerësojë standartet dhe vendosë mbi bazën e tyre."

Në cilësinë e ish-Presidentit Bamir Topi ishte i ftuar në promovimin e librit "Triumfi i kombit" të autorit Skëndër Kapiti në Durrës.

/v.q. Agjencia e Lameve “Dyrrah”/