TIRANË, 18 maj 2013– Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje sot kryetarit të PS, Edi Rama që të mos fyejë punonjësit e administratës që dalin në mitingje elektorale.Sipas tij, Rama duhet të mbajë zemërimin, pasi sa kohë që të votohet Berisha, punonjësit e administratës do të dalin në shesh me cilën parti të duan.
“Nuk besoj kurrë se ka ekzistuar ndonjëherë ne Europë një opozitë e tillë. Rama deklaron se ata që vijnë në sheshin e PD, janë robër. Unë i them atij zotërisë se, duhet të mbajë zemërimin, nervozimin. I them nëse ke hyrë në këtë betejë, lufto, qëndro aty, por jo fyerje kolektive. Se punonjës të kësaj administrate, në Shkodër e në Vlorë, nuk janë robotë, por janë qenie shoqërore, politike dhe sa kohë të votohet Sali Berisha, ata do dalin në sheshe me cilën forcë politike të duan”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, të drejtë për mitingje kanë të gjithë, përveç disa kategorive të ushtarakëve dhe policisë.
“Ata kanë të gjitha të drejtat politike të dalin në mitingje, përveç ushtarakëve, punonjësve të policisë dhe punonjësve informativë të shtetit. Të gjithë të tjerët jeni të ftuar të ushtroni vullnetin tuaj, të mbroni në fushatë pikëpamjet që dëshironi. Ndaj dhe i nderuar zotëri s’ke pse shkon në Gjirokastër dhe shpall e fyen punonjësit. U thua robër. Një mesazh më erdhi dhe më thoshte: ‘Z. kryeministër, ne jemi njerëz të lirë, ai mesa duket është rob i së shkuarës së tij, nuk kemi ç’ti bëjmë’. Po, po, por unë ju ftoj të injorojmë sharjet, akuzat, trillimet, dhe të vazhdojmë me vepra si kjo, me rrugë, shkolla, në mbështetje të fermerëve”, ka thënë Berisha nga Elbasani, ndërsa përuronte nisjen e punimeve për ndërtimin e një nënstacioni elektrik.





