TIRANE, 18 maj 2013– Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka prezantuar paraditen e sotme në njësinë 3 në Tiranë, kandidatin për deputet, Edrit Braimllari.
Meta në fjalën e tij u shpreh se punësimi është prioritet i LSI, duke shpalosur platformën elektorale që ka si angazhim të veçantë punësimin e të rinjve.
“Punësimi është prioritet i LSI-së. Në platformën elektorale për 4 vitet e qeverisjes së ardhshme e në mënyrë të veçantë, punësimi i të rinjve dhe të reja është prioriteti dhe angazhimi ynë më i madh dhe i rëndësishëm. LSI-ja synon një model të ri të ekonomik që bazohet te prodhimi dhe të aftësia për të eksportuar si baza kryesore për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe punësim të qëndrueshëm. Dhe në themel të këtij angazhimi për këtë model të ri ekonomik qëndron mbështetja dhe formimi profesional i të rinjve në mënyrë që ata të punësohen në këto sektorë kyç për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit”, shtoi Meta.
Sakaq, Lideri i LSI-së u shpreh se në programin elektoral i kushtohet një rëndësi e veçantë formimit profesional të të rinjve dhe të rejave për të gjetur punën e parë në jetën e tyre.
“Ne angazhohemi si LSI në mënyrë që qeveria të përballojë një pjesë të pagës për çdo të ri dhe të re që nuk e ka formimin e duhur profesional për të gjetur vendin e parë të punës nga tre deri në gjashtë muajt e parë në mënyrë që të lehtësojmë kostot e bizneseve, të cilat kanë nevojë për vende të reja pune. Punësimi i grave mbetet një prioritet i veçantë i LSI-së, e cila ka qenë e para forcë politike që i ka qëndruar pranë biznesit fason si biznesi më i madh punëdhënës në të gjithë vendin”.





