· E përjashtojnë nga PPSHR-ja sepse “me veprimet e tij… i ka shërbyer dhe po i shërben Sali Berishës dhe po bashkëpunon me elementë të dyshimtë që punojnë për të sabotuar lëvizjen komuniste në Shqipëri, duke përfshirë edhe ish-aparatçikë të Komitetit Qendror të PPSH”
Në foto: Ish-sekretari politik i PPSHR Muho Asllani (i pari djathtas), sekretari i parë i PPSH-së Marko Dajti (i dyti majtas) dhe Shezai Shyti së bashku me miqtë kubanë, ish-ambasadorin e Kubës në Bullgari Gerardo Suarez Alvarez (në qendër) dhe Santiago Perez Benitez, drejtor për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Kubës (Tiranë, më 17.9.2008).
TIRANE, 18 maj 2013– Ish-nr. 1 i PPSH-së në Durrës, byroisti Muho Asllani, ka zgjedhur qytetin e lindjes, Shkodrën, për të kandiduar në emër të njërës prej grupimeve komuniste.
Por më 17 maj 2013, një nga partizat e shumta komuniste e vetëquajtur “Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar” (PPSHR) ka përjashtuar Muho Asllanin nga “byroja politike”, nga posti i “sekretarit politik të KQ PPSHR”, si dhe nga partia,.
PPSHR-ja është pjesë e koalicionit të majtë të drejtuar nga PS.
2007, kur rrezikoi Dakon
Pas përmbysjes së komunizmit, Muho Asllani ka kandiduar disa herë në rrethin e Durrësit si p.sh. në Sukth, ku Ramiz Alia e çoi drejtor të ish-fermës shtetërore “8 nëntori” pas shkarkimit nga byroja politike në vitin 1991.
Muho Asllani ka kandiduar për kryetar bashkie në Durrës në vitin 2007, përballë Vangjush Dakos të PS-së, duke i hequr së majtës 400 vota, gjë që e rrezikoi së tepërmi Dakon përballë kandidatit të PD-së Armand Teliti, teksa rezultatet u zgjidhën me diferencë 300 votash në favor të Dakos.
Pikërisht ky episod ka qenë një ndër arsyet e ndëshkimit të Asllanit, po t’i referohemi komunikatës për shtyp të “PPSHR”-së më 17 maj 2013: “Gjatë diskutimit, shokët e Byrosë vunë në dukje faktin se Muho Asllani ka shkelur vijën e partisë, ka shpërfillur kritikat e shokëve dhe ka kryer edhe në të kaluarën disa veprime të rënda, sikurse ishte kandidimi në Durrës në kohën kur kryetar i PPSH-së ishte Muharrem Xhafa”
U përfol se në vitin 2007 Asllanit i ishin dhënë një sasi parash paradhënie, të cilat do të shtoheshin nëse fitonte kandidati i PD-së.
Po ashtu i biri, Ardiani, ka mbështetur në fushatë Telitin.
Me arrestimin e Ardianit, në mars 2012, për mashtrime kredish në filialin e institutit financiar “NOA” në Durrës, ish-bllokmeni mendon të ndihmojë PD-në në vendlindje, në Shkodër, në mënyrë që të përfitojë nxjerrjen e të birit nga burgu.
Nuk dorëzohet
Këtë gjë nuk e kapërdirë grupimi komunist, që ka argumentuar se “me veprimet e tij, Muho Asllani i ka shërbyer dhe po i shërben Sali Berishës dhe po bashkëpunon me elementë të dyshimtë që punojnë për të sabotuar lëvizjen komuniste në Shqipëri, duke përfshirë edhe ish-aparatçikë të Komitetit Qendror të PPSH”.
Por Asllani nuk e pranon përjashtimin nga partia që ia la amanet Enver Hoxha.
Ai pohon se do të marrë vota nga e majta, por edhe nga e djathta, pasi në Shkodër janë zhgënjyer me PD-në.
Info
76-vjeçari Muho Asllani, që e ndien veten të fortë fizikisht dhe mendërisht, është nga të vetmit ish-byroistë që dëshiron të jetë aktiv në politikën pas-komuniste, dhe pse është cilësuar një nga liderët komunistë më mediokër .
Aktualisht banon në Durrës, te “Bërryli” i Currilave, në një nga pallatet e fundit të ndërtuar në qytetin bregdetar nga regjimi komunist, ku u strehua si “sekretar i parë i komitetit të PPSH të rrethit”.
Asllani ka qene tejet popullor në vitet 1981 e më tej, pasi u soll në Durrës nga Shkodra për të zbutur problemet e strehimit me pallatet e ndërtuara “me kontribut vullnetar”.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





