KANË, 18 maj 2013- Frikë dhe panik në Kanë, pasi një burrë qëlloi me armë pranë skenës ku zhvillohej drejtpërdrejt transmetimi televiziv ‘Grand Journal’ i rrjetit Kanal +.
Aktori fitues i çmimit Oskar Christoph Waltz u trondit fort pasi një burrë i drejtoi pistoletën gjatë spektaklit televiziv live dhe kërcënoi të hidhte në erë studion me një granatë dore.
Waltz, i cili ka fituar dy Oskar me rolet e tij në dy filma të Quentin Tarantinos, po intervistohej në ato momente bashkë me aktorin francez Daniel Auteuil gjatë programit televiziv.
Pamjet filmike tregojnë se si audience largohet me shpejtësi dhe në panik, ndërsa rojet e sigurisë nxitojnë të nxjerrin dy aktorët nga skena.
Duke folur Daily Mail, Waltz tha se në ato caste ndjeu frikë për jetën e tij. Policia arrestoi atentatorin në skenë dhe zbuloi se mbante një granate false dhe një thikë ndërsa arma nuk kishte plumba, por bëhej fjalë për një pistoletë nga ato që përdoren në garat e atletikës.
Fatmirësisht askush nuk u plagos nga incidenti, dhe të gjithë ata që ndodheshin në skenë arritën te dalin me shpejtësi nga skena e improvizuar në plazhin Martinez.
Të shtënat përbëjnë incidentin e dytë që ndodh në festivalin 12 ditor të Kanes që mbledh mijëra aktore, regjisore, ekzekutive filmash, gazetare dhe fansa në rivierën franceze.
Mediat raportuan dje për një vjedhje bizhuterish me vlere 1,4 milion dollare që do të zbukuronin yjet e kinemasë nga një dhomë në suitën e hotelit Novotel.





