DURRES, 17 maj 2013- Qarku i Durrësit është bërë një arenë e rëndësishme elektorale në kuadër të kandidatëve interesantë që garojnë aty.

Përveç dy forcave të mëdha, PR ka një kandidat si Agron Duka dhe LSI si Lefter Koka.

Deputeti i LSI-së

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, deklaroi dje se ai kishte bindjen se të gjithë “qejfmbeturit” nga listat e PS-së, do të ktheheshin përsëri tek e majta për të qeverisur vendin. Me këtë deklaratë ai duket se ka parasysh ish- ministrin socialist të Bujqësisë, Agron Duka, që kandidon nën siglën e PR-së dhe Arben Malaj që kandidon si i pavarur.

“Zoti Duka kandidon me PR. Është një sprovë shumë e vështirë e tij. Besoj që do të jetë edhe një rëndesë e kësaj qeverisjeje, por edhe PR. Nuk besoj që dëmet ndaj koalicionit të majtë do të vijnë nga individë të veçantë jo vetëm në Durrës, por në të gjithë qarkun. Me gjithë konsideratën që kam, do të thosha për zotin Malaj dhe shumë personazhe të tjerë që nuk janë më pjesë e këtij ekipi, unë do të thosha që ata shumë shpejt do bëhen objektivë dhe do të largohen nga emocionet e fjalës. Mendojnë që janë gjendur të tradhtuar, por unë besoj që ata shumë shpejt do të bëhen pjesë e këtij ekipi të madh për të drejtuar vendin në 16 vitet e ardhshme”, duke theksuar faktin se 23 qershori nuk do të ishte zgjidhje vetëm për 4 vjet.